Viktimat e masakrës së Lubeniqit rivarrosen në përvjetorin e vrasjes

Familjet në Lubeniq në Kosovë po përkujtojnë 20 vjetorin e vrasjeve masive nga forcat e Beogradit, por disa prej tyre dëgjuan me detaje për masakrën e kryer vetëm kur një luftëtar serb dha një intervistë për një dokumentar të BIRN.

“Kjo e premte ishte një nga ditët më të tmerrshme dhe tronditëse të jetës sime,” tha Lendita Morina, babai i së cilës u rivarros në fshatin Lubeniq në fund të javës së kaluar.

Lendita Morina është vajza e Riza Morinës, i cili vdiq në Lubeniq më 1 prill 1999, kur forcat serbe, të udhëhequra nga Ushtria Jugosllave, rrethuan zonën, hynë në fshat, vranë të paktën 65 shqiptarë të Kosovës dhe dëbuan banorët e tjerë.

Riza Morina ishte një nga dhjetë personat, pjesët e trupit të të cilëve u gjetën nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe u rivarrosën të premten e kaluar.

Lendita Morina me babanë e saj

Të hënën, fshatarët po mbajnë një përkujtimore që shënon 20 vjet që nga koha e masakrës, e cila u krye gjatë bombardimeve të NATO-s të Jugosllavisë, të cilat kishin për qëllim përfundimin e ofensivës së presidentit Sllobodan Millosheviq kundër guerilasve etnike shqiptare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Trupat e 34 viktimave nga Lubeniqi u gjetën më vonë në një varr masiv në Batajnica, afër kryeqytetit serb Beograd, dhe disa të tjerë në një kompleks të policisë serbe në Petrovo Selo, ndërsa pjesa tjetër u gjetën në varre të pashënuara në Kosovë.

Ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan para vrasjes, shumë veta dëgjuan për herë të parë me hollësi se si u krye masakra kur ish-luftëtari serb Zoran Raskoviq dha një intervistë për BIRN në vitin 2013 për dokumentarin “Të Paidentifikuarit”, për vrasjet masive në Kosovë dhe tentativën e mëvonshme për mbulimin e krimit.

Jeta Selimi me gjyshin e saj

“Herën e parë që dëgjova të gjithë historinë se si u vra gjyshi im ishte nga Raskoviqi,” tha për BIRN Jeta Selimi, mbesa e një prej viktimave, Adem Haradinajt.

“U trondita nga mënyra se si Raskoviqi i përshkruan vrasjen dhe gjithashtu imiton gjithashtu zhurmën e armëve. Ai e përshkruan në një mënyrë aq mizore, saqë çdo gjë humbet,” tha Selimi.

Nëna e saj, Elhame Haradinaj, e cila ishte 33 vjeçe në atë kohë, tha se historia e Raskoviçit e goditi atë akoma më fortë sesa ajo që ajo përjetoi vetë ditën e masakrës.

Ajo kujtoi se si forcat paraushtarake rrethuan fshatin shumë herët atë mëngjes 20 vjet më parë.

“Na urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë tona në një kohë shumë të shkurtër dhe gjatë rrugës i ndanë burrat nga pjesa tjetër e familjeve. Ata na urdhëruan të iknim drejt Shqipërisë. Kur arritëm në rrugën kryesore nga Peja në Gjakovë, dëgjuam të shtëna armësh. Ishte atëherë që babai im u ekzekutua,” tha ajo.

Elhame Haradinaj tha se ajo nuk ishte në gjendje ta falte Raskoviqin dhe luftëtarët e tjerë serbë që ishin të përfshirë, sepse ajo tha se ndërsa përpiqeshin të kërkonin falje, ata e tregonin historinë sesi u vranë njerëzit njësoj si ajo të ishte një “përrallë”.

Në intervistën e tij për BIRN, Raskoviq tregoi për herë të parë se si trupat hynë në fshat, vranë dhe dëbuan civilët.

“Ishte një veprim i rregullt i ushtrisë – ne hymë në fshat, i detyruam fshatarët të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të mblidheshin në qendër të fshatit pranë xhamisë,” tha ai.

“U mblodhën rreth 60 deri në 100 fshatarë. Ata dukeshin shumë të trembur. Si delet para kasapit. Pastaj një shqiptar u shkëput nga grupi dhe tha: ‘Pse po silleni si banditë?’

“Pastaj ‘Mrtvi’ (I vdekuri), pseudonimi i komandantit të njësisë  Nebojsha Miniq e qëlloi atë dhe tha: ‘Të gjithë ata që përpiqen të ofendojnë policinë serbe kështu do të përfundojnë,” vazhdoi Raskoviq.

“Burrat që mund të mbanin armë u ndanë nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Ata u liruan, por burrat u ekzekutuan në grumbull,” tha ai.

Prokuroria serbe akuzoi 11 ish-anëtarë të njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave për krime lufte në fshatrat e Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq në pranverën e vitit 1999.

Burrat fillimisht u dënuan në vitin 2014 me një total prej 106 vjetësh burg për vrasjen e të paktën 118 civilëve shqiptarë të Kosovës.

Gjykata e apelit e rrëzoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim, e cila është ende në vazhdim e sipër.

Filmi dokumentar i BIRN “Të Paidentifkuarit” zbuloi shkallën e krimeve të kryera në katër fshatrat e Kosovës në vitin 1999, duke zbuluar gjithashtu strukturën komanduese të njësive të policisë dhe ushtrisë të përfshira në krime.