Vijnë reagimet për vdekjen e basketbollistit 27 vjeçar Gazmend Sinani

Lajmi për vdekjen e basketbollistit të Kombëtares së Kosovës, Gazmend Sinani ka tronditur kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

Ai në një postim u ka shprehur ngushëllimet e  tij familjes Sinani.

“Tronditës lajmi për vdekjen tragjike të basketbollistit të përfaqësueses sonë, Gazmend Sinani, i cili po festonte ditëlindjen. Familjes Sinani, miqve dhe FBK-së ngushëllimet më të sinqerta, kurse të lënduarve Granitit, Fisnikut, Altinit dhe Kujtimit u dëshiroj shërim të shpejtë”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, Uran Ismajli, ministri i Shëndetësisë ka shkruar se është shokuar me vdekjen e basketbollistit Sinani, për të cilin ka shkruar se ishte ndër basketbollistët më të mirë të gjeneratës.

“I shokuar me vdekjen e një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës së përfaqësueses së Kosovës, Gazmend Sinanit, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor që ka ndodhur sot, në Gjakovë. 27 vjeçari kishte mbrojtur për shumë vite ngjyrat e Prishtinës duke fituar disa tituj kampioni. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëlojtarëve për humbjen e madhe”, ka shkruar Ismajli.

Ish kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu ka ngushëlluar familjen e basketbollistit, Gazmend Sinanit, i cili ndërroi jetë mëngjesin e ditës së sotme nga një aksident trafiku në Gjakovë.

”Ah bre Gazi! Ngushëllime familjes Sinani!”, ka shkruar Belegu.

Përfaqësues i Kosovës në basketboll, Gazmend Sinani ka vdekur si pasojë e një aksidenti rrugor që ka ndodhur në Gjakovë. Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar opinionin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit, Kujtim Shala. Me rastin e vdekjes së basketbollistit, Gazmend Sinanit personalitete të ndryshme vendore i kanë shprehur ngushëllime familjes Sinani.

https://kallxo.com/basketbollisti-gazmend-sinani-vdes-ne-nje-aksident/