VIDEO - Pasuria e konfiskuar nga krimi shkakton debat të nxehtë në KPK

Raportimi i Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën mars – qershor 2018, zgjoi një debat mjaft të ashpër në mes të raportuesit dhe kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj.

I gjithë debati filloi pasi Koordinatori, Shqipdon Fazliu tha se po vazhdon trendi i lartë i mospërputhjes në mes të pasurive të ngrira dhe të sekuestruara në një anë dhe pasurisë së konfiskuar përfundimisht në anën tjetër.

“Për 5 vite i kemi 152 milionë euro pasuri të ngrira ose të sekuestruara ndërsa në anën tjetër i kemi vetëm 3milionë e 148 mijë euro të konfiskuara përfundimisht. Këshilli Gjyqësor i Kosovës deklarativisht ka premtuar sa e sa herë se do t’u japë prioritet mirëpo në praktikë nuk e kemi parë një gjë të tillë”, tha Fazliu.

Raportimi i Fazliut, solli fillimisht reagimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi i cili kërkoi mbikëqyrje edhe ndaj prokurorëve për cilësinë e kërkesave të tyre.

“Pati zëra kritikë sa i përket gjyqtarëve dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës e në anën tjetër lëvdata prokurorëve të shtetit. Duhet me qenë pak realist dhe me i shiku këto akte këto shkresa të cilat i bëjnë prokurorët sepse është e pamundur që me pasë kërkesa nga anën e prokurorëve për konfiskim dhe ato mos me u aprovu dhe unë mendoj se këtu duhet me pasë ma shumë mbikëqyrje në punën e prokurorëve sepse nëse plotësohen kushtet ligjore s’ka gjyqtarë që mundet me refuzuar kërkesën e prokurorëve”, tha Lumezi.

Ky sugjerim u aprovua nga raportuesi i cili tha se ka raste kur kërkesat e prokurorëve nuk janë të arsyetuara si duhet.

“Rrallë ka raste kur kërkesat arsyetohen qysh duhet me ligj dhe shtjellohen se pse sendi i përdorur ose që paraqet dobi prej veprës penale duhet të konfiskohet. Domethënë që e kam vërejtur se prokurorët shumë pak e shtjellojnë këtë lami e kjo e vështirëson punën e gjyqtarit”, tha Fazliu.

Por kjo përgjigje e raportuesit solli reagimin e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, që gjendja faktike nuk po përputhet me raportin.

“Ju thatë se është një punë e mirë e prokurorëve dhe në anën tjetër e hodhët kritikën në anën tjetër e tash po thua se prokurorët nuk po arsyetojnë, nuk janë në rregull, dhe ky raport kështu nuk duhet me kalu, realisht nuk duhet me kalu. Ti në raport pse shkruan diçka tjetër nëse gjendja faktike nuk është ashtu”, tha Isufaj.

Reagimi  i kryesuesit, përsëri solli përgjigjen e raportuesit.

“Nuk e di qysh po e lexon ti kryesues, raporti është shumë i qartë dhe të dyja qëndrojnë dhe unë po ta sqaroj se pse qëndrojnë sepse me një anën sekuestrimet dhe ngrirjet kanë ndodhë dhe nuk mundesh as ti e as askush me thanë që nuk kanë ndodh, ky është fakt e në anën tjetër i ke raportet ku kam thanë se arsyetimet nuk janë të mira të prokurorëve”, tha Fazliu.

E pas kësaj, Kryesuesi tha se ndihet keq në lidhje me përmbajtjen e raportit.

“Unë si kryesues i Këshillit Prokurorial nuk po ndihem mirë kur në raport e ke shënuar se puna e prokurorëve është në rregull ndërsa çohesh dhe diskuton këtu kinse ne nuk po e dimë se çfarë po bëjmë dhe kjo nuk është në rregull”, tha Isufaj.

Debati mes kryesuesit Isufaj me Koordinatorin Fazliu vazhdoi edhe për disa minuta.

“Merre lexoje raportin qysh duhet: thotë ‘përderisa KPK ka mundësi edhe më të përmirësojë efektivitetin, megjithatë ka një progres të qartë në këtë drejtim te shifrat e sekuestrime që je duke i ngatërrua tërë kohën”, tha Shqipdon Fazliu.

Me gjithë diskutimin e nxehtë, raporti në fund me gjithë vërejtjet u miratua pa asnjë votë kundër.