Veseli: Protestë kundër Vuçiqit, jo kundër Thaçit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se do të kishte marrë pjesë në protestë të opozitës në qoftë se ata do të ftonin protestë kundër gjuhës dhe mesazhit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Veseli tha se thirrja e protestës kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, nuk i bënë “hajr” Kosovës.

“Protesta dhe energjia që e kemi ndaj një individi nuk i bënë hajr Kosovës. Pse opozita nuk na ka bo ftesë për me marrë pjesë në protestë kundër fjalimit të Aleksandër Vuçiq”, tha Veseli duke e konfirmuar pjesëmarrjen nëse do të thirrej një protestë e tillë.

Veseli, këtë deklaratë e bëri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, pasi u pyet se si e komenton protestën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Veseli, ka shtuar se Vuçiqit, do ti lejohej hyrja përsëri në Kosovë nëse ai vjen si president, por jo duke folur pro Sllobodan Millosheviqit.

Edhe Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-s, tha se protestat e LVV nuk do të duhej të merren seriozisht.

“Vetëvendosje nuk ka protestuar moti… Nuk meriton me u trajtu seriozisht as prej opozitës e le më prej koalicionit qeverisës”, tha Krasniqi.

Sa u përket shqiptarëve në luginë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se duhet të mos të jenë të diskriminuar siç janë aktualisht nga shteti serb.

Ai tha se Kosova është e pandashme sa i përket shqiptarëve në Luginë.

“Kosova ka për obligim që të mendojë për shqiptarët tanë kudo, në veçanti në Preshevë që të mos jenë të diskriminuar siç janë tash”, tha Veseli.