Foto: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Foto: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Njëvjetori i Marrëveshjes së Ohrit: Më shumë hapa prapa se sa para në normalizim marrëdhëniesh Kosovë-Serbi

Është bërë një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në qytetin që shtrihet buzë liqenit, pas 10 orë bisedimesh, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023. Në emër të shteteve që përfaqësonin, më 18 mars 2023, dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. E si “shpërblim” për zbatimin e Marrëveshje bazë, BE-ja kishte marrë përsipër të organizonte një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Por, asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht. Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.

Analistët politikë vlerësojnë se nuk është bërë asgjë në aspektin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, teksa thonë se situata veçse është përkeqësuar më shumë, sa që nuk shihet as dritë në fund të tunelit. I pakënaqur me ecurinë e deritashme është edhe vetë Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell. Në njëvjetorin e kësaj marrëveshje, ai ka shprehur keqardhje që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe faktorit ndërkombëtar, “deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje”.

Hapa mbrapa në normalizim të marrëdhënieve

Se nuk është bërë asnjë hap para në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë- Serbi dhe se zbatimi i marrëveshjes ka mbetur krejtësisht në qorrsokak, vlerësojnë edhe analistët politik, të cilët i fajësojnë si politikanët e Kosovës dhe të Serbisë, ashtu edhe ndërmjetësitë nga Bashkimi Evropian.

Bashkëpunëtori i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit (DPC) në Berlin, Bodo Weber thotë që Marrëveshja Bazë dhe e Ohrit, janë politikisht të gabuara dhe si rrjedhojë të dënuara me dështim, pasi nisma gjermano-franceze që në fillim ishte e projektuar keq.

Fajin për gjithë këtë dështim, Weber ia lë edhe ndërmjetësve të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. “Kjo, sepse [marrëveshjet] bazohen në vazhdimin e politikës së dështuar e të dëshmuar të zbutjes së Gjermanisë, BE-së dhe perëndimorëve ndaj regjimit të Vuçiqit. Dhe si rrjedhojë [kjo politikë] vetëm do ta trimërojë Vuçiqin nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër vënia në qoshe e Kurtit vetëm sa do të forcojë qëndrimin e tij skeptik, pjesërisht dogmatiko-ideologjik ndaj dialogut politik”- thotë Weber në një bisedë me KALLXO.com.

Ndër tjera, ai shton se para sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kishte vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit veç kishte vdekur dhe se, edhe autorët e marrëveshjes gjermano-franceze, e dinë mirë këtë fakt, por nuk janë të gatshëm ta pranojnë dështimin.

“Sot, pothuajse të gjithë kryeqytetet perëndimore e pranojnë me dyer të mbyllura se me shumë gjasë nuk do të ketë më përparim, të paktën deri në hyrjen e Komisionerit të ri evropian dhe largimin e Lajçakut dhe Borrelit. Ky është absurditeti aktual- për shkak se nuk do të pranojë dështimin, Perëndimi do të pretendojë se nuk ka njohuri përfundimtare për Banjskën, për të mos u detyruar të sanksionojë regjimin e Vuçiqit”- thotë Weber.

I gjithë ky zinxhir, sipas tij, mundësoi mashtrimin zgjedhor të 13 dhjetorit 2023 nga Vuçiqi dhe kjo është arsyeja pse Perëndimi nuk do të lëvizë seriozisht kundër tij për mashtrimin zgjedhor.

Ndër tjera, Weber vlerëson që ndikimi që ka pasur qasja e gabuar në Beograd dhe Prishtinë, ka zbërthyer një spirale të rrezikshme përshkallëzuese që u vu në lëvizje nga Vuçiq, duke urdhëruar serbët në veri të largoheshin nga institucionet e Kosovës.

Dhe për pasojë, sipas tij, kjo mundësoi shembjen e pothuajse të gjithë përparimit – tashmë shumë të kufizuar – të arritur në një dekadë të dialogut politik të udhëhequr nga BE-ja, duke lënë një vakuum të sundimit të ligjit në veri.

Ndërkaq, mungesa e sundimit të ligjit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sipas Weber-it çoi në sulmin e ndodhur në Banjskë, që trazoi edhe pak ato arritje pozitive që kanë qenë.

Si rrjedhojë, dialogu i dështuar ka shkatërruar edhe status quo-në në veri me një rrezik serioz për sigurinë.

“Me Perëndimin që nuk dëshiron të ndryshojë kursin; me një vakum përpara në dialog; me daljen e dy negociatorëve dhe kolapsin përfundimtar të Ohrit, ekziston një rrezik shumë i lartë i përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës”- shprehet Weber.

Një letër e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq e dërguar më 13.12.2023 në Bruksel, konfirmon se Serbia ka ‘vija të kuqe’ kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën. Kështu, për herë të parë ky shtet me shkrim deklaron se nuk do t’i zbatojë disa nene të kësaj marrëveshjeje.

Prandaj edhe Weber është i bindur se nuk do të ketë marrëveshje përderisa Brukseli vazhdon ta injoroj letrën e kryeministres serbe, Ana Brnabiq.

Edhe për analistin politik, Seb Bytyçi, njëherësh dekanin e asociuar në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale në Universitetin e Winchesterit në Angli, që një vit nga Marrëveshja ka veç hapa mbrapa për shkak se Serbia ka deklaruar edhe formalisht në letër drejtuar BE-së se nuk e ka në plan ta zbatojë marrëveshjen.

“Asnjëherë nuk u arrit një marrëveshje për sekuencim të zbatimit të Marrëveshjes. Kjo sepse Serbia nuk kishte synim ta zbatonte atë”- thotë Bytyçi për Kallxo.com.

Sipas tij, njohja e targave nga Serbia erdhi vetëm pasi qytetarët serbë të Kosovës i ndërruan targat, kështu që, as kjo nuk mund të shihet si sukses në zbatimin e marrëveshjes.

“Pas arritjes së marrëveshjes patën dështuar negociatat për planin e zbatimit dhe ndërkohë Serbia mbështeti ndërhyrjen paramilitare të 24 shtatorit me qëllim të ndryshimit të gjendjes në terren me forcë”- tha Bytyçi.

18 marsi mbetet i njëjti

Edhe pse më 18 mars të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan me aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, as dy muaj nuk shkuan dhe shpërthyen tensionet në veri të Kosovës.

Pas zgjedhjes së katër kryetarëve shqiptarë në krye të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, më 23 prill 2023, qytetarët serbë protestuan para objekteve të komunave për të mos i lënë ata të hynë brenda.

Tërë kjo situatë ishte pikënisje për trazira të mëdha që i thelluan tensionet mes dy vendeve.

Mesditën e 26 majit 2023, në katër qytetet me shumicë serbe në veriun e vendit u dëgjua alarmi i sigurisë. Tingulli ishte i qartë, qytetarët duhet t’i përgjigjen thirrjes për organizim dhe dalje në rrugë për protesta. E gjithë kjo ishte rrjedhë e ngjarjeve paraprake, pasi kryetarët serbë të atyre  komunave, më 06.11.2022 kishin dhënë dorëheqje dhe pasi Lista Serbe, kishte vendosur t’i bojkotoj të gjitha institucionet e vendit.

Protestat u radikalizuan më 29 maj, sidomos në Zveçan, dhe shënjestër të gurëve, e gjësendeve të tjera të forta, e madje edhe e plumbave ishin ushtarët e KFOR-it që ruanin ndërtesat komunale.

Dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën, ndërsa njërit prej tyre për shkak të lëndimeve iu amputua këmba. Nga sulmet nuk u kursyen as ekipet e mediave.

Për herë të parë pas tensioneve, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së më 22.06.2023, takim gjatë të cilit pika e vetme për të cilën u pajtuan ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kjo pikë ishte një nga tri kërkesat e Bashkimit Evropian për Kosovën në mënyrë që të shtensionohet situata në veri. Ndërkaq, Serbisë iu kërkua, lirimi i tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14.06.2023, “në mënyrë të menjëhershme dhe pa kushte”.

10 ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit, më 14.09.2023, me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes Bazë, Kurti dhe Vuçiqi u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Takimi dështoi sërish. Borreli deklaroi që ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.

Borrell tha se në takim Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndërkaq, Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. E sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, po “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.

10 ditë më pas, në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua. Pas një aksioni të Policisë së Kosovës grupi terrorist iku në drejtim të Serbisë.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ndaj të cilit më 06.12.2023, INTERPOL lëshoi fletëarrest për Radoiçiqin.

Për herë të parë pas këtij sulmi, Kurti dhe Vuçiq u takuan veçmas në Bruksel më 26.10. 2023, me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin Miroslav Lajçak.

Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme. Zyra e Kryeministrit kishte njoftuar që presidenti Vuçiq, kishte refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21.10.2023.

Më pas më 27.10.2023, Këshilli Europian, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë marrëveshjet e dakorduara, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në konkluzionet për dialogun, Këshilli Europian i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet, pa vonesë dhe parakushte.

As viti 2024 nuk filloi mbarë në zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën më 01.02.2024, kur Banka Qendrore e Kosovës nisi zbatimin e rregullores së saj që parasheh euron si valutë të vetme për kryerjen e pagesave, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

BE-ja kërkon që për këtë çështje të gjendet zgjidhje në kuadër të dialogut, por Qeveria në Prishtinë ka argumentuar se rregullorja e BQK-së është “çështje teknike” që nuk duhet të përfshihet në dialogun politik për normalizimin e raporteve me Serbinë. Beogradi, ndërkaq, kërkon një zgjidhje politike për çështjen e dinarit serb.

Çështja e dinarit çoi për herë të parë kryeministrin kosovar, Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit (OKB), të thirrur nga Vuçiq më 08.02.2024.

Kurti i hodhi poshtë si të pavërteta akuzat e Vuçiqit dhe tha se institucionet e Kosovës do të sigurojnë një tranzicion për serbët e Kosovës rreth përdorimit të dinarit serb.

Sipas tij, “Beogradi nuk mund të lejohet pafundësisht të financojë kriminelët dhe terroristët e tij në Kosovë me shuma parash që qarkullojnë lirshëm dhe jashtëligjshëm në vendin tonë”.

Kurti reagoi në këtë mënyrë, pasi që Vuçiq tha se institucionet e Kosovës “kanë krijuar kushte të padurueshme të jetesës për serbët dhe tani ata po ndërmarrin sulme gjithëpërfshirëse, sistematike kundër civilëve serbë, si dhe po i përndjekin ata”.

Ambasadorja amerikane në Këshillin e Sigurimit, Linda Thomas-Greenfield, kritikoi Prishtinën për veprime të pakoordinuara dhe Beogradin për shmangie të përgjegjësisë për sulmin në Banjskë vitin e kaluar.

Greenfield u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga “veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese” dhe kritikoi institucionet e Kosovës për “veprimet e fundit të pakoordinuara”.

“Këto veprime nuk përputhen me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë përgjigje çështjeve që prekin mirëqenien e minoritetit serb”, deklaroi ajo.

Për të folur për dinarin dhe marrëveshjet, më 19.03.2024, në Bruksel do të takohen kryenegociatorët nga  Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.