Vuçiq: Ndërkombëtarët na kanë gënjyer për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se në ditët në vijim do të shpjegojë se si i ka gënjyer bashkësia ndërkombëtare lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, raporton Tanjug.rs më 17.03.2024.

Vuçiq, duke iu përgjigjur mediave, nëse pret ndonjë reagim të ri nga bashkësia ndërkombëtare, tha se pret vetëm lajme të këqija, para së gjithash në “fushën e çështjeve që janë thelbësore për mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

Ai shtoi se në ditët në vijim do të shpjegojë se kur dhe si i kanë gënjyer anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare.

Këtë vit bëhen dy vjet që kur Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim më 12.05.2022.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.

Kosovës i duhen ⅔ e votave të 46 vendeve të Këshillit të Europës në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në këtë mekanizëm.Në mesin e shteteve që do vendosin për fatin e Kosovës janë edhe Serbia, Ukraina, Spanja, Qipro, Sllovakia, Moldavia e Greqia, të cilat nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17.02.2008.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 13.03.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të ekzekutohet vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese 8 vjet më parë në lidhje me 24 hektarë tokë që iu dhuruan Manastirit të Deçanit mbi dy dekada më parë.Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo do t’i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.