Ymeri: Po Punojmë për Protestë Masive

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se përgatitjet për protestën e 17 shkurtit janë duke vazhduar dhe po bëhen në të gjitha qytetet e Kosovës.

“Ne po punojmë që protesta e 17 shkurtit të jetë sa më masive. Vullneti i qytetarëve duhet të shprehet në shesh. Qytetarët janë shumë të pakënaqur me atë çfarë po ndodhë në Kosovë, veçanërisht me marrëveshjet dhe mënyrën se si kjo qeveri po e trajton Kosovën si shtet, republikë dhe pasuri. Qytetarët e Republikës janë ata që do ta mbrojnë Kosovën dhe do ta bëjnë ndryshimin e madh që i nevojitet këtij vendi dhe ta kthejmë në binarë të procesit të demokracisë” tha Ymeri.

Sipas tij numri i qytetarëve në rrugët e sheshit të Prishtinë do të shkojë duke u rritur.
“Protestat janë paqësore. Edhe kjo protestë do të jetë paqësore. Por, është e rëndësishme të dëgjohen me kujdes kërkesat e saj. Dhe kërkesat janë sikur herën e kaluar: të anulohen marrëveshjet dhe të largohet kjo qeveri e shkelësve të Kushtetutës dhe e nëpërkëmbësve të vullnetit dhe dinjitetit të qytetarëve” deklaroi lideri i LVV-së.

Visar Ymeri aludonte në protestën e 9 janarit të këtij viti, të organizuar nga partitë opozitare LVV. AAK dhe Nisma për Kosovën, e në të cilën ka marrë pjesë një numër i madh i qytetarëve.

http://kallxo.com/opozita-ne-proteste-kunder-qeverise/

Protesta e kaluar ishte organizuar nën moton “Për shtet me sovranitet” dhe “Kundër Qeverisë antikushtetuese”.

Gjatë kësaj proteste ishte kërkuar dorëheqja e Qeverisë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk ishin në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Protesta e 9 janarit ka qenë e qetë deri në përfundimin e fjalimeve të liderëve të tri partive opozitare, por më vonë ajo përfundoi me dhunë në rrugët e Prishtinës, me ç’rast një grup protestuesish janë përleshur me forcat e rendit rrugëve të kryeqytetit.

Një protestë e ngjashme e organizuar nga partitë opozitare është mbajtur edhe më 28 nëntor 2015. Pas kësaj proteste, e zhvilluar me moton “Për Mbrojtje të Shtetit”, është arrestuar ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili kërkohej nga organet e drejtësisë, dhe dhjetëra aktivistë të tjerë të LVV-së.

http://kallxo.com/live-manifestimi-opozitar-i-28-nentorit