Ilustrimi: Kallxo.com

Partitë opozitare kritikojnë pushtetin, shprehen të gatshme për zgjedhje të parakohshme

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK, kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Këtë gatishmëri e kanë shprehur shefat e grupeve parlamentare pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 11.03.2024.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi tha se partia e tij është e gatshme çdo herë për zgjedhje.

“Sa i përket zgjedhjeve të mundshme, LDK është partia më serioze në Kosovë dhe jemi të gatshëm çdo kohë të mbahen zgjedhjet. Kurdo që të parashihet të mbahen zgjedhjet jemi të gatshëm të hyjmë në proces”- tha ai pas mbledhjes së Kryesisë më 11.03.2024.

Njëjtë është shprehur edhe kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ai tha se kjo parti që nga qershori i vitit 2023 ka kërkuar zgjedhje.

“PDK që nga qershori 2023 nuk voton asgjë në Kuvend, as marrëveshje ndërkombëtare, as ligje, për një arsye te vetme sepse kërkojmë te ndërkrejmë mandatin kësaj qeverie, Qeverisje që është kthyer në dem të interesave të qytetarëve të Kosovës. Sukseset e saj janë aq të paketa. Kosova nuk njeh më njohje ndërkombëtare. PDK që nga qershori është e gatshme dhe kërkon zgjedhje”- tha ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se zgjedhjet do të mund të shpallen në mesin e gushtit.

“Zgjedhjet janë në këtë vit. Mes gushtit është data kur munden me u shpallë zgjedhjet. Pra, zgjedhje do të ketë në janar, ose shkurt. E, Albini ka qejf të mbahen në shkurt, me dal edhe nihere më thënë hajde e bëjmë 14 shkurtin e dytë”- tha për media Tahiri.

Tahiri ka folur edhe për tri mundësi që vendi të shkohet në zgjedhje.

“Shkojmë përmes dorëheqjes, a jep Albin Kurti dorëheqje, jo se i bjen mu dorëzu. Mënyra e dytë është mocioni i AAK-së që nuk u nënshkrua as nga opozita. Që një vit nuk ka ndodh. Mënyra e tretë është më u shpërbë parlamenti. Me 80 persona”- ka shtuar ai.

Shpallja e zgjedhje të reja, sipas afateve ligjore, duhet të bëhet kah fundi i verës apo fillimi i vjeshtës së këtij viti. Sipas kompetencave të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi i presidentes për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më herët se gjashtë dhe jo më vonë se katër muaj para datës së zgjedhjeve.

Nata e 14 shkurtit 2021 nxori Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera.