Gjykimi ndaj Togerit të Policisë Fadil Surkishi

Togeri i akuzuar për ndërhyrje në dy raporte të aksidenteve thotë se e bëri më urdhër të eprorit të tij

Togeri i Policisë Fadil Surkishi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare është deklaruar para gjykatës për dy aksidentet për të cilat ai dyshohet se kishte ndërhyrë duke i ndryshuar raportet.

“Për aksidentin e datës 18 shtator 2013, jam njoftuar shumë vonë pasi komandanti Isak Ejupi kishte urdhëruar Behgjet Gashin ta ndryshonte raportin e këtij aksidenti’’, deklaroi i akuzuari Fadil Surkishi.

Ai vazhdoi duke deklaruar se: “Komandanti Isak Ejupi ka kërkuar nga unë ta ndihmoj Behgjet Gashin për ndryshimin e raportit më saktësisht të ndërrohen pozicionet e pjesëmarrësve në aksidentin e trafikut’’.

Ai tutje tha se: “Ndërsa unë e kisha pyetur komandantin se pse duhej ta ndihmoja Behgjetin. Ai më kishte thënë se ‘Behgjeti nuk din me përdor kompjuterin’’’, tha i akuzuari Fadil Surkishi.

“Unë i kam ndihmuar Behgjetit ta përpiloj kallëzimin penal, ndërsa raportin e kam përpiluar ashtu siç më ka diktuar Behgjeti. Më vonë kam kuptuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) se ka ankesë ndaj meje për ndryshim të raportit”. deklaroi tashmë togeri i akuzuar Fadil Surkishi.

Poashtu ai deklaroi se me datën 5 tetor 2013, kishte  pranuar një raport policor të përpiluar nga Behgjet Gashi në të cilin shkruante  se “me urdhër të kapitenit Isak Ejupi ndryshoj këtë raport’’, raporti sipas tij gjendet në shkresat e lëndës.

“Andaj  raporti i datës 18 shtator të vitit 2013, është ndryshuar nga Behgjet Gashi me urdhër të Isak Ejupit”, përfundoi togeri i akuzuar Fadil Surkishi.

“Ndërsa në lidhje me aksidentin e datës 14 shkurt 2014, jam njoftuar tek me datën 18 shkurt kur kam shkuar në punë dhe në hyrje të Stacionit kam takuar Xhavit Avdiun, i cili më ka treguar se kishte pësuar aksident dhe se ishin lënduar edhe tre persona tjerë. Poashtu Xhavit Avdiu mu ankua se si policët e kishin nxjerrë fajtorë atë’’, deklaroi i akuzuari Fadil Surkishi.

“Xhavit Avdiut i kam thënë se eja më tako në zyrë pas orës 09:30 pasi ta shikoj lëndën’’, deklaroi togeri i akuzuar.

“Unë kam shikuar lëndët që ishin grumbulluar për tri ditë, por me theks të veçantë kam shikuar raportin në të cilin ishte i përfshirë Xhavit Avdiu’’, tha togeri Surkishi.

“Pasi kam shikuar lëndën në bazë të skicës kam vërejtur se diçka nuk ishte në rregull dhe kam shkuar në zyrë të zëvendëskomandantes, por pasi ajo nuk kishte njohuri për aksidentet rrugore më udhëzoi për te komandanti. Kam shkuar në zyrë të komandantit, e pranishme ishte edhe zëvendëskomandantja Valbona Blakqorri dhe pasi jemi konsultuar, komandanti ka marrë vendim për ndryshimin e raportit në lidhje me atë se si ka ndodhur aksidenti dhe që si kontribues i aksidentit të jetë edhe pala tjetër Ekrem Hoti’’, tha Surkishi.

Gjykata ndërpreu marrjen në pyetje të të akuzuarit Fadil Surkishi dhe caktoi datën 21 nëntor, kur i akuzuari Surkishi do të deklarohet në tërësi dhe do të paraqiten fjalët përfundimtare në këtë proces gjyqësor.

Togeri i Policisë Fadil Surkishi, i akuzuar nga Prokuroria për tejkalimin e kompetencave është ballafaquar sot para gjykatës me deklaratat e koleges së tij dëshmitare, rreshtere Antigona Çitaku.

Togeri i Policisë Fadil Surkishi akuzohet se duke pasur gradën e togerit në Polici se në periudhën 2013-2014, si shef i Operativës në Stacionin Policor në Podujevë ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ose që seriozisht t’i shkelë të drejtat e personit tjetër. Aktakuza ngarkon Surkishin se ka ndikuar në dy raste të aksidenteve të trafikut. Sipas aktakuzës aksidenti i pari kishte ndodhur në fshatin Dumnicë, komuna e Podujevës, ndërsa i dyti kishte ndodhur në rr. “Skënderbeu” në Podujevë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Surkishi akuzohet se për këto dy raste ka ndikuar te zyrtari policor – dëshmitari Behxhet Gashi, ku edhe e ka detyruar që raportin e parë të aksidentit ta ndryshojë në detajet e aksidentit dhe skicën e vendit të ngjarjes, edhe pse dëshmitari Behxhet Gashi nuk është pajtuar dhe mospajtimin e ka treguar përmes një raporti.

Derisa për aksidentin tjetër, Prokuroria pretendon se i akuzuari Surkishi ka ndikuar dhe e ka detyruar zyrtarin policor Fisnik Veseli që kundër vullnetit të tij të bëjë ndryshimin e raporteve të aksidentit dhe ndryshimin e kallëzimit penal, mirëpo Fisnik Veseli poashtu ka përpiluar raportin e oficerit duke dhënë arsyen e ndryshimit në raportin e aksidentit dhe kallëzimin penal për rastin në fjalë.

Dosja e Prokurorisë – Togeri i Policisë ndryshoi dy raste të aksidenteve

Dëshmitari: E ndërrova raportin pasi u ndjeva i kërcënuar nga togeri

.