Gjykimi ndaj Togerit të Policisë

Dosja e Prokurorisë - Togeri i Policisë ndryshoi dy raste të aksidenteve

Togeri i Policisë Fadil Surkishi, i akuzuar nga Prokuroria për tejkalimin e kompetencave është ballafaquar sot para gjykatës me deklaratat e koleges së tij dëshmitare, rreshtere Antigona Çitaku.

Togeri i Policisë Fadil Surkishi akuzohet se duke pasur gradën e togerit në Polici se në periudhën 2013-2014, si shef i Operativës në Stacionin Policor në Podujevë ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ose që seriozisht t’i shkelë të drejtat e personit tjetër.

Aktakuza ngarkon Surkishin se ka ndikuar në dy raste të aksidenteve të trafikut. Sipas aktakuzës aksidenti i pari kishte ndodhur në fshatin Dumnicë, komuna e Podujevës, ndërsa i dyti kishte ndodhur në rr. “Skënderbeu” në Podujevë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Surkishi akuzohet se për këto dy raste ka ndikuar te zyrtari policor – dëshmitari Behxhet Gashi, ku edhe e ka detyruar që raportin e parë të aksidentit ta ndryshojë në detajet e aksidentit dhe skicën e vendit të ngjarjes, edhe pse dëshmitari Behxhet Gashi nuk është pajtuar dhe mospajtimin e ka treguar përmes një raporti.

Derisa për aksidentin tjetër, Prokuroria pretendon se i akuzuari Surkishi ka ndikuar dhe e ka detyruar zyrtarin policor Fisnik Veseli që kundër vullnetit të tij të bëjë ndryshimin e raporteve të aksidentit dhe ndryshimin e kallëzimit penal, mirëpo Fisnik Veseli poashtu ka përpiluar raportin e oficerit duke dhënë arsyen e ndryshimit në raportin e aksidentit dhe kallëzimin penal për rastin në fjalë.

Me këtë Surkishi ngarkohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Rreshterja e Policisë, Antigona Çitaku para trupit gjykues tha se: “E di që ka ndodhur një aksident trafiku dhe është hapur rasti, kam dëgjuar që për këtë rast janë shkruar dy raporte’’.

“Di që togeri në pozitën që e ka pas i ka marrë rastet për t’i shiku dhe e di që i njëjti lidhur me rastin ka kontaktu me zëvnedëskomandanten e Stacionit e cila ishte deklaruar se nuk kishte njohuri sa i përket aksidenteve të  komunikacionit”, tha Çitaku.

Ajo vazhdoi se: “A është mbajt takim formal nuk e di, por që është diskutu lidhur me rastin e di sepse stafi komandues takohet disa herë brenda ditës’’.

“Se çfarë është diskutuar më vonë unë nuk kam qenë prezent”, vazhdoi tutje dëshmitarja Çitaku.

“Nuk e di datën kur është ndryshuar raporti, por e di që para se të ndryshohet raporti është diskutuar për atë ndryshim. Ndërsa rasti i aksidentit 14.02.2014, nuk më kujtohet dhe këtë përgjigje mund ta japin personat përgjegjës, mirëpo e di që është diskutuar rreth këtij aksidenti”, tha ajo.

Për ta sqaruar mënyrën se si është arritur deri te ndryshimi i raportit, se kush merret me shikimin e raporteve dhe kush duhet të jap vendim për ndryshim të tyre, dëshmitarja Antigona Çitaku tregoi për hierarkinë në Stacionin Policor të Podujevës.

Ajo tha se: “Hierarkia në stacion policor është komandat, zëvendëskomandant dhe shef i operativës”.

“Mendoj se rastet e hapura hetohen nga policia dhe prokuroi, ndërsa është detyrë e shefit të operativës që secilin ditë t`i shikojë raportet se a janë të kompletuara dhe nëse nuk është i kompletuar ndonjë rast kthehet për kompletim”, tregoi ajo.

E pyetur se a ishte kthyer për kompletim raporti i aksidentit që kishte ndodhur me datën 14 shkurt 2014 dëshmitarja Çitaku deklaroi se: “Nuk kam njohuri se rasti i aksidentit të dhjetorit 2014 është kthyer për kompletim sepse nuk isha e përfshirë në atë rast’’.

E pyetur nga prokurorja e rastit  Merrushe Llugiqi, se: “Ju deklaruat se shefi i operativës i ka kontrolluar rastet, a ka qenë shef i operativës i akuzuari Fadil Surkishi?’’.

Dëshmitarja Antigona Çitaku deklaroi: “Po kam qenë duke aluduar në të akuzuarin’’.

Poashtu prokurorja Llugiqi e pyeti dëshmitaren se: “Biseda në mes togerit Fadil Surkishi  dhe zëvendëskomandantes Valbona Blakqorri, a ishte zhvilluar në prani tuajën?”.

Dëshmitarja deklaroi: “Jo nuk isha prezente, por më kanë treguar togeri dhe zëvendëskomandantja’’.

E kur u pyet nga prokurorja se kush ishte Xhavit Avdiu, dëshmitarja tha se: “Po e njoh sepse ai ishte i përfshirë në një aksident dhe gruaja e tij punon në Stacionin Policor në Podujevë”.

Ndërsa në fund u pyet nga gjykatësi Shashivar Hoti se: “A mundet një procesverbal i vendit të ngjarjes të vije në stacionin policor të diskutohet dhe të ndryshohet?”.

Dëshmitarja Antigona Çitaku deklaroi se: “Unë personalisht nuk e kisha ndryshu, po për të tjerët nuk e di tha’’, avokati Veton Rrecaj.