Kreu i Listës Serbe, Slavko Simiq | Foto: Facebook

Lista Serbe Pret Vendim Korrekt të Kushtetueses

Sllavko Simiq, shef i Grupit Parlamentar të Listës Serbe pas dorëzimit të Ligjit për “Trepçën” për vlerësim kushtetutshmërie në Gjykatën Kushtetuese, tha se pret që ligji të shpallet jokushtetues dhe të shfuqizohet.

Ai u pyet nga gazetarët se çfarë vendimi pret Lista Serbe nga Gjykata Kushtetuese.

“Nuk dua ta prejudikoj vendimin, por siç thashë edhe më parë  presim të jetë tërësisht profesional dhe i paanshëm,” tha Simiq.

Simiq deklaroi më tutje se gjatë miratimit të këtij ligji janë shkelur disa nene të Kushtetutës, ndërsa sipas tij Projektligji për “Trepçën” para miratimit nuk ka kaluar nëpër Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim dhe nuk është shqyrtuar në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve.

“Me miratimin e Ligjit për ‘Trepçën’ janë shkelur shumë procedura të cilat duhej të ishin në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Me miratimin e ligjit për ‘Trepçën’ nuk janë respektuar interesat vitalë të popullit serb,” tha Simiq.

Simiq deklaroi më tutje se derisa kushtetutshmëria e Ligjit për “Trepçën” të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, ai nuk mund të dekretohet nga Presidenti dhe as të botohet në Gazetën Zyrtare.

Ai kërkoi që me çështjen e “Trepçës” të mos merren ata që nuk e njohin këtë çështje.

Ligji për Trepçën u miratua në orët e para të së shtunës që shkoi. Ai duhet të hyjë në fuqi dhe botohet në Gazetën Zyrtare deri më 2 nëntor në mënyrë që kompleksi industrial t’i shpëtojë procesit të likuidimit.

Simiq foli edhe për ngrirjen e pjesëmarrjes së Listës Serbe në institucionet kosovare, për të cilën gjë tha se ditëve të ardhshme ky subjekt politik do të zhvillojë konsultime të brendshme, por edhe konsultime me institucionet kosovare dhe ato të Serbisë.

Ai paralajmëroi që Lista Serbe do t’i drejtohet Kushtetueses edhe për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Investime Strategjike që u miratua të martën në Kuvendin e Kosovës.