'Inject': Gratë të diskriminuara në ndarjen e pasurisë

Gratë në vendin tonë, jo rrallë ballafaqohen me probleme sa i përket ndarjes së pasurisë në raste divorci. Shumë nga to nuk marrin asgjë, e disa marrin një pjesë të vogël.

Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi “Inject” ka organizuar konferencën rreth ecurisë së procesit për ndryshimin e Ligjit për Familjen dhe Projektet aktuale të Iniciativës për Drejtësi.

Luljeta Aliu, drejtoreshë e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi “Inject” tha se pas një kohe shumë të gjatë e të mundimshme kanë arritur ta dorëzojmë Ligjin për barazi dhe drejtësi në shqyrtim.

“Pas një viti e gjysmë kemi arritur ta dorëzojmë në Kuvend Ligjin për drejtësinë dhe barazinë në familje, i cili sot shpresojmë se do të kalojë në leximin e parë. Ky ligj është i njëjtë dhe nuk ka ndryshuar aspak që nga 2004, ne duhet ta vetëdijësojmë shoqërinë se drejtësia dhe barazia gjinore janë bazamenti i shoqërie  dhe duhet të luftojmë që të kemi drejtësi në të gjitha fushat. Sepse, nëse nuk luftojmë do të kemi shumë ngecje si shoqëri”, u shpreh Aliu.

Aliu gjithashtu ka bërë thirrje te institucionet që këtë ligj ta çojnë tutje.

Por, për këtë i duhet përkrahja e së paku, gjashtë deputetëve. Ajo thotë se çalon implementimi i drejtë i Ligjit që është në fuqi dhe se për këtë gratë në Kosovë, dëmtohen skajshmërisht në rast të ndarjes nga bashkëshorti.

“Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve relevante, të cilat kanë kompetenca për sigurinë e mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha Luljeta Aliu.

Aliu pos tjerash ka thënë se është bazuar dhe në ligjin gjerman për familjen.