Gashi nënshkruan Rregulloren mbi punën e Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar të enjten Rregulloren mbi punën e Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës (IAK).

MKRS përmes një komunikate për media, bëri të ditur se 16 vjet pas themelimit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Këshilli Drejtues i këtij institucioni ka përgatitur Rregulloren e punës së Këshillit Drejtues të IAK-ut.

Me këtë rast, sipas komunikatës ministri në detyrë Gashi ka pohuar se Instituti Arkeologjik i Kosovës që nga themelimi i tij, ka pasur mungesë së infrastrukturës ligjore.

“Rregullorja është hapi i parë drejt kompletimit të infrastrukturës ligjore të këtij institucioni shumë të rëndësishëm të Trashëgimisë Kulturore të vendit tonë. U informova nga Këshilli Drejtues, që janë në përfundim edhe të Statutit të IAK-ut, kurse unë si ministër i inkurajova anëtarët e Këshillit që të vazhdojnë punën shumë të mirë që po e bëjnë”, citohet të ketë thënë ministri Gashi.

Instituti Arkeologjik i Kosovës deri më tani nuk ka pasur rregullore të Këshillit Drejtues dhe as statut të tij.