Arrestimet për vrasjen e Liridona Murselit, Prokuroria thotë se të dyshuarit janë duke u intervistuar

Prokuroria Themelore e Prishtinës thotë se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me vrasjen e Liridona Murselit që ndodhi në orët e vona të mërkurës, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Prokuroria bën të ditur se bëhet fjalë për arrestimin e personave me inicialet G. P. që dyshohet të jetë dorasi, si dhe N. M., bashkëshorti i viktimës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast”- thuhet në njoftim.

Prokuroria  thotë se sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, ku mes tjerash është sekuestruar edhe arma që dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G. P. (dorasi) dhe N. M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”- njofton Prokuroria.

Më tej, Prokuroria thekson se të dyshuarit aktualisht po intervistohen në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.

KALLXO.com raportoi se në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, e që njëri prej tyre mësohet se është Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës.

Gruaja e Naim Mueselit dyshohet se u vra gjatë një tentim grabitje siç kishte pretenduar Murseli. Por gjatë ditës së sotme vetë Murseli dhe një person tjetër janë arrestuar si të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se i dyshuari që kreu vrasjen ka deklaruar në Polici se ishte paguar 30 mijë euro nga Murseli për të kryer aktin e vrasjes.

I dyshuari për vrasje deklaroi në Polici se u pagua nga Naim Murseli për vrasjen e gruas se tij