I dyshuari për vrasje deklaroi në Polici se u pagua nga Naim Murseli për vrasjen e gruas se tij

KALLXO.com ka mësuar detaje të reja në lidhje me arrestimin e Naim Murselit dhe një personi tjetër, që dyshohen për vrasjen e Liridona Murselit që ndodhi orët e vona të së mërkurës.

Gruaja e Naim Mueselit dyshohet se u vra gjatë një tentim grabitje siç kishte pretenduar Murseli. Por gjatë ditës së sotme vetë Murseli dhe një person tjetër janë arrestuar si të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se i dyshuari që kreu vrasjen ka deklaruar në Polici se ishte paguar 30 mijë euro nga Murseli për të kryer aktin e vrasjes.

Kurse Murseli ende nuk është deklaruar në lidhje me këtë çështje edhe pas arrestimit.

Policia e Kosovës pak më parë ka njoftuar se pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin.

Në njoftim bëhet e ditur se, njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.

Një grua ka mbetur e vdekur si pasojë e të shtënave më armë zjarri më 29 nëntor rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Rasti sipas Prokurorisë është cilësuar si grabitje me pasoja vdekjeje.

Arrestohet Naim Murseli, dyshohet në rastin e vrasjes së gruas së tij