Ilustrim

22 deputetë të Parlamentit Evropian kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

22 anëtarë të Parlamentit Evropian i kanë dërguar një letër të hapur presidentit të Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kryesuesit të përhershëm të Austrisë në BE Nikolaus Marschik për të kërkuar largimin e regjimit të vizave për Kosovën.

Në këtë letër, 22 anëtarët thonë se konsiderojnë që është jetike sigurimi i liberalizimit të vizave për Kosovën, proces ky që po ka vonesa të panevojshme. Prandaj siç thuhet në letër, anëtarët i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojnë amendamentet në mënyrë që të përjashtojë njerëzit e Kosovës nga kërkesa për pajisje me viza në rast të udhëtimit në shtetet anëtare.

Më poshtë mund të gjeni edhe letrën e përkthyer të këtyre 22 anëtarëve të PE:

“I dashur president i Këshillit Evropian, z. Tusk,

I dashur përfaqësues i përhershëm i Austrisë në KE, z. Marschik,

Ne të nënshkruarit si anëtarë të Parlamentit Evropian, e konsiderojmë jetike liberalizimin e vizave për Kosovën pa krijuar vonesa të mëtejshme të panevojshme. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Këshillit që të miratojë amendamentet e rregullimit të KE me numër 539/2001 që të përjashtojë qytetarët e Kosovës nga kërkesat për vizë kur udhëtojnë në territorin e shteteve anëtare.

Ne besojmë se liberalizimi i vizave do të përmirësojë stabilitetin dhe do ta sjellë Kosovën më afër BE-së duke përmirësuar çështjen e udhëtimit dhe të bërit biznes, duke ndihmuar njerëzit që të largohen nga kontrabanda dhe korrupsioni.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që qytetarët e saj kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Schengen. Kjo krijon një ndjenjë të izolimit dhe ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

Deri tani jemi dëshmitarë të rritjes së gjeneratave të reja të cilët janë privuar nga pjesa tjetër e bashkuar dhe e zhvilluar e Evropës.

Udhëtimi pa viza jo vetëm që forcon lidhjet dhe kontaktet mes njerëzve, bashkëpunimin në kalimin e kufijve, kulturën, edukimin dhe shkëmbimin profesional, por gjithashtu ndihmon në ndaljen e imigrimeve ilegale duke larguar kriminelët nga ky biznes. Liberalizmi i vizave hap mundësi për udhëtime turistike të qytetarëve, për të vizituar familjarë dhe miq pa pasur nevojë që të ballafaqohen me largësinë dhe shpenzimet e shtrenjta për procedurat e vizës.

Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizmin e vizave në ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe një rekord i fuqishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të gjitha këto standarde janë vënë për të shtyrë vendin drejtë rrugës së liberalizimit të vizave.

Parlamenti Evropian ka dhënë një mandat për negociata të brendshme institucionale për të filluar me ndarjen e vizave të kosovarëve kur kalojnë kufijtë e jashtëm me një shumicë dërrmuese me 13 shtator të vitit 2018.

Regjimi pa viza prezanton njërën ndër arritjet më të qarta dhe konkrete të këtij vendi për perspektivën evropiane dhe krijimin e lëvizjes së lirë si njërën nga principet thelbësore të projektit evropian.

Prandaj i bëjmë thirrje Këshillit që të caktojë një mbledhje për të votuar rreth kësaj çështje dhe të largojë regjimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtutjeshme.”, thuhet në letrën e hapur.