Trefishohen të Hyrat Vjetore të Albin Kurtit

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje Albin Kurti ka deklaruar shtim të të hyrave familjare gjatë këtij viti.

Kurti në vitin 2016 kishte të deklaruara 18 mijë e 824 euro të hyra vjetore, ndërsa këtë vit bashkë me gruan kjo shifër arrin në 59 mijë e 740 euro.

Në deklarimin e pasurisë së këtij viti, kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për herë të parë ka deklaruar edhe të hyrat vjetore të bashkëshortes, të cilat janë dyfish më shumë se të vetë Kurtit.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), kandidati për Kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka pasuri të luajtshme e as të paluajtshme.

Sipas formularit të deklarimit të pasurisë në AKK, deputeti Kurti ka deklaruar se bashkëshortja e tij zotëron 85 mijë euro para të gatshme të mbajtura në institucione financiare, të cilat i kishte deklaruar edhe një vit më parë.

Kurti ka deklaruar se të ardhura vjetore janë 17,501 euro nga paga si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ndërsa vitin e kaluar ai kishte deklaruar  të ardhura vjetore 18,824 euro nga paga si deputet.

Ndërsa për herë të parë ai deklaron edhe të hyrat vjetore të gruas në Norvegji, të cilat sipas formularit të AKK-së janë 42 mijë e 240 euro.

Të hyrat vjetore të Kurtit me bashkëshorte janë rreth 60 mijë euro.