Foto: Kallxo.com

Tre veta dënohen me burg për ndërrimin e ngastrave kadastrale në Pejë, Gjakovë e Deçan

Tre persona janë dënuar për vepra të korrupsionit ndërsa një është liruar nga Gjykata Themelore të mërkurën në Prishtinë.

Jahja Imami, ish referent i Gjykatës Themelore në Pejë, është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg pasi u gjet fajtor në veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Ai u shpall i pafajshëm në një pikë tjetër të akuzës për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ismet Kryeziu, drejtor i drejtorisë ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, u dënua me dy vjet burgim në pikën e vetme të akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Shërbim Berisha u gjet fajtor në veprat legalizim i përmbajtjes së rrejshme dhe mashtrim dhe mori dënim prej 1 vjet e dy muaj.

E akuzuara e katërt, Valbona Naka, e cila dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është liruar nga akuzat.

Tre të dënuarit, gjithashtu janë të obliguar që gjykatës t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale si dhe në emër të paushallit gjyqësore shumën prej 300 euro secili veç e veç.

Në këtë proces gjyqësor, Jahja Imami akuzohej se në cilësinë e referentit për vërtetime të kontratave në Gjykatën Komunale të Pejës, në fillim të vitit 2012, ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke marrë ryshfet dhe falsifikuar dokumente lidhur me disa ngastra kadastrale në Komunën e Gjakovës.

https://kallxo.com/shtyhet-seanca-ne-gjyqin-per-keqperdorime-me-ngastrat-komunale/

Me anë të këtyre veprimeve sipas Prokurorisë Imami ka kryer veprat penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit si dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare.

I akuzuari tjetër Ismet Kryeziu sipas Prokurorisë ka keqpërdorur autoritetin zyrtar, ngase në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, me dijeni ka lejuar ndërrimin e disa ngastrave kadastrale.

Kurse Valbona Naka udhëheqëse për çështje juridike në Drejtorinë për Kadastër, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare lidhur me bartjen e paluajtshmërisë, meqë sipas aktakuzës ka ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte tek Ismet Kryeziu për të bërë bartjen e paluajtshmërisë.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Shërbim Berisha, akuzohet se ka kryer veprat penale – legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë dhe mashtrim, pasi që sipas prokurorisë në zyrën kadastrale në Komunën e Deçanit gjatë muajit mars të vitit 2011, ka bërë kërkesë për regjistrim të paluajtshmërisë, si dhe ka prezantuar aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata Komunale në Pejë, për ngastër kadastrale të cilën ka pasur qëllim ta bart në emër të Milivoje Qosoviq.

Tutje thuhet se Shërbim Berisha i kishte vënë në lajthim të dëmtuarit Ngadhnjim Ukëhaxha dhe Jeton Aliçkaj, pasi ngastrat kadastrale në sipërfaqe prej 8.81,92 ha, në Rastavicë të Deçanit, në emër të Milivoje Qosoviq, ia kishte shitur të dëmtuarve me aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata Komunale në Pejë, në janar të vitit 2011, në vlerë prej 80.000 euro.

E Viçenc Komani akuzohet se ka kryer veprat penale – dhënie ryshfeti si dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, pasi që pretendohet se i njëjti i ka dhënë ryshfet Jahja Imamit, me qëllim të vërtetimit të kontratave të shitblerjes për ngastrat kadastrale në Komunën e Gjakovës, kontrata këto të falsifikuara nga vetë ai.

Për këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Fatmir Muriqi, por ndaj tij ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor dhe i njëjti është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3500 euro gjobë.

Në këtë rast i akuzuari ka qenë  edhe Vicenc Komani, mirëpo ndaj tij është veçuar procedura.

Aktakuza së pari është ngritur në Gjykatën Themelore në Pejë, por më pas kjo gjykatë ka marrë aktvendim për transferimin e kësaj lënde në Gjykatën Themelore në Prishtinë me arsyetimin se njëri nga të akuzuarit Jahja Imami ka qenë punëtor shumëvjeçar i Gjykatës në Pejë, dhe se për shkak të këtij fakti kjo Gjykatë nuk mund ta procedojë këtë çështje penale.