Ligjvënësit e BE-së e miratojnë ndalimin e automjeteve me motorë me djegie në vitin 2035
Parlamenti Evropian e ka miratuar të mërkurën propozimin për ndalimin e shitjes së makinave të reja me motorë me djegie në vitin 2035, duke kërkuar ta forcojnë luftën kundër ndryshimit klimatik përmes zhvillimit më të shpejtë të automjeteve elektrike.
Asambleja e Bashkimit Evropian votoi në Strasburg, Francë, për t’u kërkuar prodhuesve të automjeteve t’i ulin emetimet e dioksidit të karbonit me 100% deri në mesin e dekadës së ardhshme. Ky vendim do të përbënte një ndalim të shitjes në bllokun 27-vendesh të BE-së të makinave të reja me benzinë ose naftë.
Ligjvënësit e BE-së miratuan gjithashtu një reduktim prej 55% të CO2 nga makinat në vitin 2030 krahasuar me vitin 2021. Vendimi i lartcekur e thellon një detyrim ekzistues për industrinë e makinave për t’i ulur shkarkimet e CO2 me 37.5% mesatarisht në fund të dekadës në krahasim me vitin e kaluar.
Ambientalistët i kanë përshëndetur vendimet e parlamentit. Transport & Environment, një aleancë me seli në Bruksel, tha se votimi ofroi “një shans të mirë për ta shmangur ndryshimin e arratisur klimatik”.
Ndërkohë, një grupi lobues i industrisë së automobilave të Gjermanisë VDA e kritikoi votimin, duke thënë se ky vendim injoron mungesën e infrastrukturës së tarifimit në Evropë. Grupi tha gjithashtu se votimi ishte “një vendim kundër inovacionit dhe teknologjisë” një referencë ndaj kërkesave nga industria që karburantet sintetike të përjashtohen nga ndalimi, të cilin ligjvënësit evropianë e refuzuan.
Nëse miratohet nga vendet e BE-së, afati i vitit 2035 do të jetë veçanërisht i vështirë për prodhuesit gjermanë të automobilave, të cilët janë fokusuar në automjete të fuqishme dhe të shtrenjta me motorë me djegie, ndërsa janë prapa rivalëve të huaj kur bëhet fjalë për makinat elektrike.
Objektivi i reduktimit të CO2 në vitin 2030 dhe ndalimi i motorëve me djegie në vitin 2035 u propozua vitin e kaluar nga Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së. Makinat përbëjnë rreth 12% të emetimeve evropiane të gazeve serrë, të cilat fajësohen për valët gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive të të nxehtit, stuhitë dhe përmbytjet të lidhura me ndryshimet klimatike.
Qeveritë e vendeve anëtare të BE-së duhet të japin verdiktet e tyre në javët ose muajt e ardhshëm përpara se të miratohet një marrëveshje përfundimtare e BE-së për kërkesat më të ashpra të emetimit të makinave.
Ligji mbi automjetet po shqyrtohet si pjesë e një pakete të projektligjeve të BE-së për klimën që mbulon një sërë industrish të tjera ndotëse.
BE planifikon t’i ulë gazet serrë me 55% në vitin 2030 krahasuar me vitin 1990 dhe jo vetëm me një 40% të rënë dakord më parë gjatë kësaj periudhe./Associated Press