Flamuri i Hungarisë, Foto: Pixabay

Si influencerët në Hungari po i shndërrojnë të rinjtë e painteresuar në politikë në protestues?

Në një natë të ftohtë shkurti, Sheshi i Heronjve në kryeqytetin hungarez ishte aq i mbushur me njerëz saqë protestuesit u detyruan të ngjiteshin mbi statuja.

Njerëzit në turmë ishin aq larg nga vendi ku mbaheshin fjalimet, saqë në vend të sloganeve apo kërkesave, ata brohoritën “nuk mund t’ju dëgjojmë”, duke iu kërkuar folësve që të lëshonin më shumë zërin.

Budapesti edhe në të kaluarën ka qenë skenë e protestave, por kjo protestë mund të jetë e para që është organizuar nga influencerët e rrjeteve sociale. Mijëra njerëz që dolën në rrugët e kryeqytetit hungarez më 16 shkurt, protestuan pasi së fundi një person i përfshirë në një rast të abuzimit seksual të fëmijëve përfitoi falje presidenciale. Ky rast ka tronditur Hungarinë dhe deri më tani ka çuar deri te dorëheqja e presidentes së shtetit dhe ish-ministres së Drejtësisë.

Protesta ka pasur edhe në javët paraprake, të organizuara nga opozita e krahut të majtë, Lëvizja për Momentum, pasi një media e pavarur zbuloi se presidentja e vendit, Katalin Novak, kishte lëshuar falje presidenciale për zëvendësdrejtorin e një shtëpie shtetërore për fëmijë, i cili ishte burgosur për tentim të heshtjes së akuzave për abuzim seksual kundër drejtorit të kësaj shtëpie.

Por, kjo protestë ishte ndryshe. Shumë nga ata që i bënë ballë të ftohtit dhe iu bashkuan protestës, që u organizua nga disa personalitetet më popullore online në vend, ishin të rinj, që zakonisht nuk janë të interesuar për politikë. Ky fakt ka të ngjarë të shqetësojë kryeministrin hungarez të krahut të djathtë, Viktor Orban, dhe partinë e tij në pushtet, Fidesz, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe ato për Parlamentin Evropian në qershor.

“Shumica e botës nuk është vetëm bardhë dhe zi. Por, siguria e fëmijëve dhe dhuna kundër fëmijëve është bardhë dhe zi”, tha për Radion Evropa e Lirë, Judit Banyai, që ishte një prej organizatoreve të protestës së 16 shkurtit të quajtur “Përbindëshit ecin të lirë”. “Nuk ka asnjë anë politike apo ideologjike që e pranon këtë”, tha Banyai gjatë një bisede përmes video-lidhjes.

Personi që është falur – zëvendësdrejtori i shtëpisë së fëmijëve në Bicske, një qytezë afër kryeqytetit, i cili në media është identifikuar si Endre K. – ishte dënuar me mbi tre vjet burgim më 2018 për shkak se u kishte bërë presion viktimave që të tërheqin pretendimet e tyre për abuzim seksual. Drejtori i këtij institucioni ishte dënuar me tetë vjet burgim për abuzimin e të paktën dhjetë fëmijëve në periudhën kohore 2004-2016.

Banyai, 26 vjeçe, nën e dy fëmijëve, është bërë e njohur si kontribuuese në Nemakarokbeleszolni, një llogari në Instagram që publikon video qesharake lidhur me të qenët nënë. Ajo ka mbi 50.000 ndjekës në platformën sociale në pronësi të kompanisë Meta, ndërkaq llogaria e të cilën ajo bashkëpunon ka 300.000 ndjekës.

Yjet e rrjeteve sociale nga Nemakarokbeleszolni – që nëse përkthehet në shqip i bie “Nuk dua të të tregoj çfarë të bësh, por…”, një paralajmërim i dëgjuar shpesh nga nënat e reja – bashkuan forcat me Marton Gulyas, drejtuesi i kanalit të pavarur në YouTube, Partizan, dhe me një numër të komedianëve të famshëm, personalitete të tjera të popullarizuar në YouTube dhe muzikantë.

Ndjekësit e tyre janë kryesisht të rinj dhe liberalë në pikëpamjet e tyre, dhe ndryshe nga krahu rinor i Lëvizjes Momentum, priren që të mos ndjekin shumë lajmet. “Është e paprecedentë që influencerët, të cilët janë të popullarizuar veçmas në mesin e të rinjve, janë organizatorë dhe folës në një protestë”, tha për Radion Evropa e Lirë pas protestës së 16 shkurtit, Peter Kreko, drejtor i institutit Political Capital me seli në Budapest.

Protesta u përkrah nga politikanë të partive me ideologji të ndryshme. Përmes një video-mesazhi Peter Marki-Zay, sfiduesi i fundit i Orbanit gjatë garës për kryeministër, e mbështeti protestën. Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij të marrin pjesë në të dhe anuloi një tubim të tijin të planifikuar për ditën tjetër. Si lëvizja e krahut të majtë, Momentum, edhe partia e ekstremit të djathtë, Jobbik, në llogaritë e tyre në Facebook njoftuan për datën dhe orën e mbajtjes së protestës.

Banyai, që ishte përgjegjëse për dizajnin e grafikave për protestën, tha se u kanë kërkuar anëtarëve të partive politike që të mos sjellin në protestë flamujt partiakë, në mënyrë që protesta të mos politizohej. Shumë nga njerëzit që morën pjesë në protestë bartnin flamurin e Hungarisë.

Kjo mungesë e ngjyrimit politik e bëri këtë protestë tërheqëse për shumë hungarezë, tha Kreko. “Të gjitha hulumtimet tregojnë se të rinjtë hungarezë qëndrojnë larg partive politike dhe ata kanë më pak gjasa të marrin pjesë në një protestë që ka vulën e një partie politike”. Në përgjithësi, në Hungari të rinjtë kanë më shumë gjasa t’i bashkohen një proteste nëse ajo thirrjet për probleme sociale, mjedisore apo arsimore sesa nëse ka të bëjë me çështje krejtësisht politike.

Sipas një sondazhi të realizuar së fundi, 60 për qind e popullsisë hungareze nën moshën 30-vjeçare – gjeneratë që e ka kaluar gjithë pjesën e jetës së tyre në moshë madhore nën pushtetin e Orbanit – janë të pakënaqur me situatën aktuale të demokracisë dhe 43 për qind janë shprehur se nuk mbështesin asnjë parti politike. Në një studim tjetër, më pak se një e treta e të anketuarve u deklaruan se ata do të votonin në zgjedhjet e përgjithshme.

“Gjithçka shpërtheu si një çmenduri. Veçanërisht, duke pasur parasysh se sa njerëz shpërndan njoftimin për protestë në llogaritë e tyre”, tha Banyai, duke iu referuar Facebook-ut dhe Instagram-it, dy nga rrjetet më popullore sociale në Hungari.

Në Sheshin e Heronjve, Gergely Horvath, 32 vjeç, protestoi për herë të parë. Ai tha se edhe më herët e kishte menduar që të shkonte në të gjitha protestat antiqeveritare që ishin organizuar. “Por, miqtë e mi nuk ishin të interesuar që të shkonim bashkë”, tha ai. “Prandaj, nuk shkova kurrë”. Ai ndjek në rrjetet sociale pothuajse të gjithë organizatorët e protestës dhe tha se e ndjeu se “kjo nuk do të ishte diçka që mund ta shikoja nga divani i shtëpisë sime”.

Rasti i faljes presidenciale ka zemëruar shumë hungarezë: një përzierje e ndjenjës së një neverie të madhe ndaj abuzuesve të fëmijëve dhe ndjenjës së përhapur të padrejtësisë që njerëzit që kanë miq në pozita të larta mund t’i shpëtojnë ndëshkimit për çfarëdo shkeljeje.

Në Hungari janë mbi 20.000 fëmijë nën përkujdesjen e shtetit dhe afërsisht një e treta e tyre janë në shtëpitë e fëmijëve. Shumë nga këto institucione përballen me mungesë të personelit dhe kanë pak buxhet, probleme që në disa raste kanë çuar në kujdes jo të duhur të fëmijëve dhe në abuzim. Shumica e protestuesve shprehën shqetësime se çfarë ka ndodhur në Bicske mund të jetë vetëm maja e ajsbergut.

Përderisa Novak, ish-presidentja dhe aleatja e ngushtë e Orbanit, kurrë nuk dha ndonjë arsye për faljen presidenciale, politikanët opozitarë dhe raportimet e mediave të pavarura kanë pretenduar se Endre K. ka disa lidhje me Qeverinë dhe me vëllain e kryeministrit hungarez.

“Më duket e pështirë që dikush që ka bërë diçka të tillë mund të shpëtojë nëse ka miqtë e duhur”, tha Barbara Krcmarova, 26-vjeçare, hungareze etnike nga Sllovakia.

Së bashku me mikeshën e saj, 25-vjeçaren Gyorgyi Abelovska, Krcmarova protestoi për herë të parë që kur u zhvendos në kryeqytetin hungarez disa vjet më parë. “Ishim kureshtare të shihnim një protestë në Budapest”, tha Abelovska, e cila punon si kameriere në një hotel. Që të dyja thanë se nuk kanë interes për politikën dhe nuk përcjellin zhvillimet aktuale.

“Është koha që e vërteta të dalë në shesh”, tha Tamas Cseh, 53 vjeç. Për dallim nga të tjerët, ai ka protestuar vazhdimisht dhe në protestë mori pjesë me një flamur të kombinuar: atë të Hungarisë dhe të hungarezëve etnikë në rajonin e Rumanisë të Transilvanisë.

Cseh përmendi disa teori konspirative duke filluar nga Traktati i Trianonit i vitit 1920, ku u humb dy e treta e territorit hungarez, për trafikimin ndërkombëtar të fëmijëve dhe për COVID-19. “Qeveria do ta vrasë veten me këtë”, tha ai. “Politikisht, ata kanë bërë autogol”.

Është e paqartë nëse protestat do të vazhdojnë apo nëse do të ketë efekt te Qeveria e Orbanit, e cila është në pushtet që nga viti 2010 dhe e paraqet veten si mbrojtëse të fëmijëve dhe të “vlerave e familjes tradicionale”. Përderisa llogaria në Instagram që u krijua pas protestës morën mbi 80.000 ndjekës, organizatorët nuk kanë njoftuar për mbajtjen e ndonjë ngjarje të re.

Skandali shpërtheu në një kohë të çuditshme për Orbanin, i cili po përballet me kritika nga Brukseli pasi fillimisht kishte kundërshtuar që Ukrainës t’i ofrohej ndihmë dhe është kritikuar po ashtu për bllokimin e pranimit të Suedisë në NATO. Brenda vendit ai përballet me pakënaqësi për shkak të krizës së rëndë të kostos së jetesës.

Gjatë fjalimi vjetor drejtuar kombit më 17 shkurt, në paraqitjen e parë publike që kur dha dorëheqje presidentja, kryeministri hungarez shfaqi pak keqardhje. “Njerëzit e mirë nganjëherë marrin vendime të gabuara”, tha Orban gjatë fjalimit që u mbajt para miqve të tij, anëtarëve të partisë së tij dhe gazetarëve nga mediat e lidhura me Qeverinë. Nga kjo ngjarje u përjashtuan gazetarët e pavarur dhe ata të huaj.

Pas protestës, organizatorët mblodhën 5.575 dollarë donacione për të ndihmuar një viktimë të pastrehë të abuzimit seksual. Me donacionet që tejkaluan qëllimin e vendosur paraprakisht, Partizan njoftoi se paratë që kanë tepruar do të përdoren për të ndihmuar të tjerët që kanë qenë në shtëpitë e fëmijëve dhe që tani jetojnë në rrugë.

“Fakti që shumë njerëz morën pjesë dhe dhuruan… ka një pjesë jashtëzakonisht të madhe në shtetin tonë që është shumë e pakënaqur me politikat e Fideszit”, tha Kreko nga instituti Political Capital.

Pyetja më e rëndësishme tani, tha ai, është nëse grupet e të rinjve të angazhuar së fundi do të vazhdojnë të jenë politikisht aktiv dhe të votojnë në zgjedhjet evropiane dhe lokale të qershorit.

“Kjo është hera e parë pas një kohe të gjatë që politikanë hungarezë kanë dhënë dorëheqje dhe kjo, në vetvete, ka një ndikim pozitiv te shoqëria civile, protestuesit dhe tek ata që janë të pakënaqur me Qeverinë. Gazetarët po ashtu mund ta ndiejnë se raportimi i tyre prodhon pasoja politike”./Radio Evropa e Lirë