Arkitektët projektojnë një 'vertiport' taksi fluturues për Dubain

Kompania e njohur e arkitekturës në Mbretërinë e Bashkuar ‘Foster + Partners’ e ka lansuar një koncept për një terminal “vertiport” për automjetet vertikale të ngritjes dhe uljes, siç janë taksitë ajrore, të cilat do t’i lidhnin vendndodhjet më të njohura të Dubait dhe do të siguronin udhëtim me shpejtësi të lartë, me emetim zero.

Vertiport-i është një zonë e përcaktuar që mund të mbështesë automjetet elektrike vertikale të ngritjes dhe uljes (eVTOL), gjatë operacioneve të fluturimit.

Dizajni është zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë e avancuar të lëvizshmërisë ajrore (AAM) Skyports Infrastructure, dhe u miratua nga Sheikh Mohammed Bin Rashid Al Maktoum, sundimtari i Dubait, sipas ‘Foster + Partners’.

Ai do të vendoset pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait (DXB) dhe do të integrohet me rrjetet ekzistuese të aeroporteve, si dhe me qendrat e transportit përreth.

David Summerfield, udhëheqësi i studios në ‘Foster + Partners’, ka deklaruar për media se janë të kënaqur që kanë zhvilluar një koncept vertiport për industrinë në zhvillim AAM, i cili do ta transformojë mënyrën se si njerëzit udhëtojnë në Dubai.”

Tutje, Summerfield ka shtuar se vertiporti konceptual do të lidhej me DXB dhe metronë e Dubait, “për të ofruar udhëtim të qetë dhe të qëndrueshëm në të gjithë qytetin për pasagjerët ndërkombëtarë dhe vendas”.

Përshkrimet e ‘Foster + Partner’ e tregojnë terminalin e vendosur në një kuvertë të ngritur për ta lehtësuar ngritjen dhe uljen e avionëve. Ndërtesa mbështillet rreth fushës ajrore, duke i lidhur sallonet e mbërritjes dhe të nisjes dhe duke ofruar pamje spektakolare të avionit dhe qytetit përtej.

Taksitë drejt qiellit

Sheikh Mohammed Bin Rashid Al Maktoum ka postuar në muajin shkurt se stacionet e taksive ajrore do të fillojnë të funksionojnë në Dubai brenda tri viteve të ardhshme.

Emirati ka planifikuar prej kohësh një shërbim taksi fluturues. Në vitin 2017, Autoriteti Rrugor dhe Transportit i Dubait (RTA) njoftoi se synon të lëshojë drone pasagjerësh pa shofer atë vit, duke përdorur një model me një vend të bërë nga kompania kineze Ehang.

Në vitin 2022, kinezi XPeng X2 e përfundoi me sukses fluturimin e parë publik testues të automjetit të tij fluturues me dy vende në ekspozitën e teknologjisë GITEX të Dubait. Automjeti plotësisht elektrik është projektuar për të transportuar dy pasagjerë, për të arritur shpejtësi deri në 130 km në orë dhe për t’u ngritur vertikalisht nga toka duke përdorur tetë helikë.

Vendi pranë aeroportit DXB është një nga katër lokacionet e propozuara vertiport që po shqyrtohen nga Skyports Infrastructure dhe RTA, të cilat planifikojnë t’i zhvillojnë rrjetet vertiport për taksitë ajrore deri në vitin 2026, sipas Foster + Partners./CNN