Trajneri i Kosovës U21 publikon listën e futbollistëve të ftuar për duelin ndaj Andorrës

Trajneri gjerman i Kosovës U21,  Michael Ness ka ftuar 31 futbollistë për ndeshjen ndaj Andorrës.

FFK ka publikuar listën e zgjeruar të futbollistëve për kualifikimet e Europianit 2023, që duhet të reduktohet në 24 futbollistë për listën përfundimtare.

Lojtarët e rinj të Kosovës do  të grumbullohen më 25 maj, para ndeshjes kualifikuese ndaj Andorrës.

“Përzgjedhësi Michael Nees e ka ndarë këtë grumbullim në dy faza. Në fazën e parë, prej 25 maj deri më 29 maj, janë ftuar 31 futbollistë dhe kjo fazë do të shërbejë si paraselektim, derisa më pas lista do të reduktohet në 24 futbollistë, të cilët do të jenë në grumbullim në fazën e dytë prej 31 majit, teksa ndeshja kualifikuese me Andorrën U21, zhvillohet më 8 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:00”, shkruan FFK-ja.

Stërvitja e parë e Kosovës U21 do të zhvillohet në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali.

Kosova U21 nën drejtimin e Neesit ka luajtur dy ndeshje miqësore. Debutoi me humbje në miqësoren e parë kundër Katarit U23 2:0, ndërsa miqësorja e dytë përfundoi baras, 2:2. Që të dyja duelet u zhvilluan në fund të muajit mars në Katar.