FFK: Për rikthimin e futbollit në vendin tonë është njoftuar edhe UEFA

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, sot ia ka bërë të ditur vendimin e institucioneve qeveritare për lejimin e stërvitjeve të klubeve në futboll.

Federata e Futbollit e Kosovës, ka njoftuar se menjëherë pas këtij vendimi është mbledhur Komisioni i Garave dhe Komisioni i Gjyqtarëve së bashku me administratorin e Superligës, dhe ekipin mjekësorë të FFK-së, për ta përgatitur orarin e 11 xhirove të mbetura në kampionat dhe ndeshjeve të Kupës së Kosovës.

“Menjëherë pas këtij vendimi është mbledhur Komisioni i Garave dhe Komisioni i Gjyqtarëve së bashku me administratorin e Ipko Superligës, me pjesëmarrjen edhe të presidentit Ademi, sekretarit të përgjithshëm Salihu si dhe ekipit mjekësor të FFK-së, ku është duke u përgatitur orari i 11-javëve të mbetura të kampionatit si dhe ndeshjeve të Digitalb Kupës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

FFK ka njoftuar se sot do të vendoset për datën e saktë të rikthimit të futbollit, po ashtu është njoftuar edhe UEFA, për rifillimin e futbollit në Kosovë.

“Ndërkohë, sot do të mbahet edhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, i cili do të vendosë për datën fikse të rifillimit të kampionatit. Për fillim do të nisin përgatitjet e klubeve të Ipko Superligës, derisa për ligat e tjera KE do të vendosë më vonë gjithmonë në koordinim me ministrinë dhe UEFA-n. Për rikthimin e futbollit në vendin tonë është njoftuar edhe UEFA”, njofton FFK-ja.

Klubeve të futbollit në Kosovë u lejohen stërvitjet