Daku mesazh Challandesit: Unë jam i gatshëm, qoftë për tani, apo edhe për më vonë

Trajneri i Kosovës A në futboll Bernard Challandes ishte i pranishëm në ndeshjen Trepça ’89 – Ballkani të cilën e fituan mysafirët me rezultat 0-2.

Në këtë ndeshje për Ballkanin shënoi Mirlind Daku golin e parë për suharekasit i cili ishte në vëzhgim nga Challandes.

Daku pas ndeshjes ka thënë se nuk ka qenë i informuar për prezencën e Challandes. Ai ka thënë se është i gatshëm për Kosovën kurdo që merr ftesë nga selektori i Kosovës.

“Nuk kam qenë i informuar që Challandesi do të jetë në stadium. Unë e bëjë punën time. Nëse ai mendon që unë duhet të ftohem, atëherë unë jam i gatshëm, qoftë për tani, apo edhe për më vonë. Unë prapë vazhdojë të punojë, ta bëjë punën sa më mirë që mundem. Do të ishte motiv shtesë po të ftohesha në këtë grumbullim, e po ashtu edhe për të kaluar në ndonjë klub jashtë vendit në fund të sezonit. Por, kjo i mbetet trajnerit. Unë jam i gatshëm çdoherë të jap më të mirën për Kosovën”, deklaroi Daku.

Sulmuesi gjilanas sot e shënoi golin e 26-të në këtë sezon në Superligë, ka thënë që nëse nuk arrihen objektivat e klubit këto statistika nuk vlejnë për të.

“Vet statistikat tregojnë që ka qenë sezon i mirë për mua. Por, nëse nuk arrihen objektivat e klubit, këto statistika nuk do të vlenin asgjë për mua. Shpresoj që të arrihen objektivat e klubit në fund të sezonit”, tha Daku pas ndeshjes.

Pas kësaj fitoreje Ballkani e ndanë vendin e parë me Dritën me nga 55 pikë.