Basketboll, vashat e Kosovës mësojnë kundërshtarët për Kampionatin Europian për Shtete të Vogla

Kombëtarja e Kosovës A në basketboll në kategorinë e vajzave ka mësuar kundërshtarët për Kampionatin Europian për Shtete të Vogla, ka bërë të ditur Federata e Basketbollit e Kosovës.

Vashat e Kosovës do të jenë në Grupin B së bashku me Qipron, Gjibraltarin dhe Luksemburgun.

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës në basket, Granit Rugova ka thënë se janë krenarë që po debutojnë vashat kosovare në arenën ndërkombëtare.

“Kjo është hera e parë që vashat e Kosovës A do të luajnë në gara zyrtare. Jemi krenarë që po debutojmë edhe me vashat tona në arenën ndërkombëtare. Shpresoj se do të kemi një përfaqësim sa më të mirë në këto gara. Sigurisht se dëshira dhe motivi është i madh te basketbollistet e Kosovës. Ne kemi filluar me grumbullime dhe do të vazhdojmë me stërvitje intensive. Duam që të përgatitemi sa më mirë për debutim”, është shprehur drejtori i përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.

Kampionati do të mbahet në Qipro nga 20 deri më 25 Korrik, ku do të debutojnë vashat dardane.