Foto: Komuna e Vitisë

Shtrenjtohet Peleti i Importuar

Në kohën kur është më i nevojshmi për ngrohje në temperaturat aktuale shumë të ulëta, është shtrenjtuar peleti, lënda djegëse e përdorur kohëve të fundit në Kosovë.

Peleti është biomasë për ngrohje dhe fitohet përmes përpunimeve mekanike të mbetjeve të drurit të përpunuar (tallashit) nën presion të lartë.

Kjo ngritje është vërejtur te kompanitë që importojnë këtë lëndë djegëse më shumë se te prodhuesit kosovarë të peletit.

Peleti ka filluar të përdoret për ngrohje në institucione dhe shkolla në vitet e fundit, ndërkaq përdorimi i saj është zgjeruar edhe te qytetarët.

Shtrenjtimi i kësaj lëndeje djegëse ka shqetësuar shumë ata që ngrohen me të.

Skender Zeqiri, një qytetar nga Gjilani i cili ngrohet me pelet thotë se çmimi i tij është rritur disa herë duke e vështirësuar situatën e ngrohjes në këtë kohë.

“Ne kemi blerë peletin nga disa  kompani që importojnë atë, si ‘Gorenje’dhe ‘Gëzimi’, por çmimi i tonit është rritur nga 175 në 185 për të arritur tani në 200 euro,” tha Zeqiri për KALLXO.com.

Zyrtarë të kompanisë “Gorenje” kanë konfirmuar për KALLXO.com  rritjen e çmimit duke e arsyetuar me shtrenjtimin e peletit nga prodhuesi,  por nuk kanë komentuar nëse kjo rritje ka të bëjë me motin që po mbretëron.

Çmimi aktual i një  toni të peletit  në këtë kompani është 259 euro.

Në anën tjetër , KALLXO.com ka  kontaktuar edhe kompaninë “Jeta H “ në Deçan, një kompani kosovare që bën prodhimin e veletit dhe vazhdon të ketë çmimin më të ulët në raport me kompanitë që kanë shtrenjtuar atë.

Pronari i kompanisë Xhevat Hasanmetaj tha se peletit që tashmë e ka shitur nuk ia ka ndërruar çmimin.

“ E kam shitur të gjithin para disa ditësh, çmimi është 180 euro për ton dhe nuk ka ndryshuar,” tha Hasanmetaj.

Fillimi i vitit 2017 është përcjellë me temperatura të ulëta në Kosovë,  ndërsa ditëve të fundit bora që ka rënë ka shkaktuar probleme të shumta nëpër komuna.

Për shkak të kësaj gjendjeje, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në shkolla është shtyrë për  një javë.

http://kallxo.com/komunat-perballen-probleme-shkaku-bores/