Në Termokos do kyçen 43 objekte banesore në lagjen ‘Arbëria’ dhe 62 objekte tek parku i qytetit

Ngrohtorja e Prishtinës ‘Termokos’ ka bërë të ditur se përpos kyçjes së ngorhjes në lagjen ‘Mati 1’, në rrjet planifikohet tç futen edhe 43 objekte banesore të lagjes ‘Arbëria’ dhe 62 objekte afër parkut të qytetit.

Zëdhënsja e Termokos, Afërdia Uka për Kallxo.com bëri të ditur se ky zgjerim i rrjetit është duke u bërë në kuadër të projektit për zgjerim, me fonde të ndara nga qeverie gjermane përmes KfW-së.

“Në kuadër të Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, i cili është në proces të realizimit me fondet e ndara nga Qeveria gjermane dhe Qeveria e Luksemburgut, nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) si dhe bashkëfinancim të Komunës së Prishtinës dhe NP “Termokos”, përveç 141 objekteve banesore të lagjes “Mati 1”, në rrjetin e ngrohjes planifikohet të kyçen edhe 43 objekte banesore të lagjes “Arbëria” me 2.425 njësi banesore si dhe 62 objekte në lagjen në afërsi të Parkut të qytetit me 767 njësi banesore”- ka thënë Uka.

Sipas Ukës, pjesa më e madhe e punëve në lagjen ‘Arbëria’ pritet të kryhet brenda këtij viti.

“Sipas planit dinamik të hartuar nga kompania punëkryese planifikohet, që pjesa më e madhe e punëve për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes për lagjen “Arbëria” të përfundojë gjatë këtij viti, për aq kohë sa do të lejojnë edhe kushtet atmosferike”- shtoi ajo.

Sipas zëdhënëses së Termokos, pjesa tjetër e punëve dhe kompletimi i nënstacioneve të ngrohjes me të gjitha pajisjet e nevojshme, do të vazhdojë vitin e ardhshëm.

Projekti si tërësi pritet të përfundojnë në fund të vitit 2023.

“Projekti si tërësi, gjatë të cilit planifikohet kyçja në rrjetin e ngrohjes të 246 objekteve të reja banesore si dhe 86 objekteve më të vjetra banesore të qytetit të Prishtinës, me rreth 5 mijë konsumatorë të rinjë, sipas planit do të përfundojë në fund të vitit 2023”- ka bërë të ditur Uka.

Afërdita Uka potencoi se në planet për zgjerim për vitin e ardhëshëm, do trajtohet me prioritet kyçja në rrjet e ‘banesave të bardha’ në lagjen ‘Bregu i Diellit’.

“Në planet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për vitin e ardhshëm do të trajtohet me prioritet mundësia për kyçjen në rrjetin e ngrohjes të objekteve banesore të lagjes “Bregu i diellit” të njohura si “Banesat e bardha”.

Sipas Ukës,  aktualisht një ekip i veçantë është angazhuar dhe është duke punuar për shqyrtimin e të gjitha mundësive për kyçjen në rrjetin e ngrohjes të këtyre objekteve banesore.

Për kyçjen e banesave të bardha në ‘Breg të Diellit’ ka shkruar edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

Sipas tij, veçse kanë nisur punën që kjo të ndodhë vitin e ardhshëm.

“Banesat e Bardha! Kjo është lagjja ku jam rritur! E kanë vetëm një kërkesë, të kyçen në ngrohtoren e qytetit. Dhe ne veçse kemi filluar të punojmë që kjo të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm”- ka shkruar Zogaj.

Gjatë këtij viti ka nisur edhe projekti i vendosjes së matëseve nëpër radiatorë të konsumatorëve.

Projekti “Prishtina Heat Save” apo projekti për vendosjen e matësve të nxehtësisë po realizohet me fondet në vlerë të 10 milionë dollarëve, të ndara nga Qeveria amerikane nëpërmes Millennium Challenge Corporation (MCC).

Përmes vendosjes së matëseve, konsumatorët do kontrollojnë vetë nxehtësinë brenda apartamentit të tyre, gjithashtu faturimi do bëhet mbi bazën e konsumit e jo të metrave katror të banesës siç ka qenë deri më tani.

Fillon instalimi i njehsorëve të Termokos