Hapat për të aplikuar për t'u subvencionuar për efiçiencë të energjisë

Ministria e Ekonomisë ka prezantuar sot masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për ngrohje për qytetarët.

Subvencionimi i efiçiencës së energjisë përmes kësaj thirrje ju mundëson qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në: reduktimin e kërkesës për energji/ energji elektrike dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë.

Pajisjet të cilat do të subvencionohen janë; pompë termike, pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner/ klimë eficiente), kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.

Duke klikuar në këtë LINK mund të gjeni kriteret për aplikim, kriteret teknike, vlerën e subvencionit dhe sqarimet shtesë për secilën prej pajisjeve që do të subvencionohen.

Aplikimi për subvencionim është e ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova.

Faza I

Plotësoni formularin për aplikim online në platformën e-Kosova në linkun në vijim https://ekosova.rks-gov.net/420

Nëse aplikimi juaj është i suksesshëm ju do të njoftoheni menjëherë që jeni kualifikuar për këtë fazë dhe mund të vazhdoni me blerjen e pajisjes që keni përzgjedhur konform kritereve teknike të specifikuara në thirrje.

Faza II

Pas blerjes dhe instalimit të pajisjes së përzgjedhur konform kritereve të specifikuara në thirrje, ju mund të aplikoni për fazën II përmes platformës e-Kosova që të ju mundësohet përfitimi nga ky subvencion, duke ngarkuar dokumentet në vijim:

  1. Faturën e rregullt apo kuponin fiskal të blerjes së pajisjes (fatura duhet të jetë jo më e vjetër se nga data e njoftimit për kualifikim të fazës së I)
  2. Vërtetimin e xhirollogarisë bankare të lëshuar nga banka;
  3. Fotografi të pajisjes së instaluar;
  4. Fotografi të numrit serik të pajisjes;
  5. Fotografi të etiketës së performancës së pajisjes;
  6. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës sociale (kategoria I & II), për përfitim të subvencionit prej 90% për stufën individuale me biomasë kërkohet të ngarkohet një dëshmi që vërteton mbështetjen e skemës sociale (kategoria I & II).

Nëse faza II e aplikacionit tuaj vlerësohet pozitivisht nga Komisioni përkatës i Ministrisë së Ekonomisë, përmes platformës e-Kosova ju do të ftoheni për të nënshkruar Marrëveshjen e Subvencionimit me Ministrinë e Ekonomisë dhe do të njoftoheni për datën dhe vendin e nënshkrimit. Pas nënshkrimit të marrëveshjes ju do të pranoni subvencionin në xhirollogarinë tuaj.

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është 14 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri me datën 20 Tetor 2022 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është 21 ditë kalendarike nga dita e aplikimit në fazën e parë.

Aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”, andaj inkurajohen qytetarët të aplikojnë sa më herët.

Aplikacionet e pranuara nga faza II do të vlerësohen nga një Komision i Ministrisë së Ekonomisë, i cili shqyrton nëse dëshmitë e ngarkuara në platformën e-Kosova janë konform kritereve të kësaj thirrjeje. Vetëm aplikimi që plotëson të gjitha kriteret do të pranohet për përpunim të mëtejmë.

Rizvanolli prezanton masat për subvencionim të energjisë për rreth 10 mijë familje