Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Termokos' e vazhdon furnizimin me ngrohje edhe për disa ditë

Ngrohtorja “Termokos” ka marrë vendim që furnizimi me ngrohje në Prishtinë të vazhdojë edhe për disa ditë.

Furnizimi me energji ngrohëse, sipas afatit të zakonshëm do të duhej të përfundonte sot, por për shkak të përkeqësimit të motit në ditët e ardhshme, ndërmarrja ka bërë të ditur se do të zgjasë furnimin me ngrohje për konsumatorët.

“Ndonëse, furnizimi me energji ngrohëse, sipas afatit të zakonshëm do të duhej të përfundonte sot, pasi është monitoruar lëvizja e temperaturave minimale ditëve të fundit si dhe pasi janë analizuar parashikimet meteorologjike për një përkeqësim të motit ditëve të ardhshme, NP ‘Termokos’ ka marrë vendim, që furnizimi me ngrohje të vazhdojë edhe për disa ditë”, thuhet në njoftim.

Sipas “Termokos”-it, kjo zgjatje e sezonit ngrohës është bërë në koordinim të ngushtë me Komunën e Prishtinës dhe me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Ndërkohë, që është në harmoni të plotë edhe me aktet ligjore në fuqi, sipas të cilave në rastet e temperaturave të paqëndrueshme mund të vazhdojmë me furnizimin e jashtëzakonshëm me ngrohje për aq kohë sa do të ketë nevojë”, thuhet tutje në njoftim.

“Luhatjes së temperaturave të ajrit, përkatësisht dallimeve në mes temperaturave minimale me ato maksimale do t’iu përshtaten edhe temperaturat e energjisë ngrohëse, që do të vazhdojmë t’iu ofrojmë konsumatorëve tanë ditëve të ardhshme.

Përfundimi i sezonit ngrohës 2021/2022, përkatësisht vazhdimi i furnizimit me ngrohje, do të varet nga lëvizja e temperaturave përgjatë ditëve në vijim”, ka shtuar ndërmarrja.