Ilustrim

Shkollat e Prishtinës furnizohen me pelet për ngrohje, kompania furnizuese jep arsye për vonesën

Disa shkolla të komunës së Prishtinës u përballën me mungesë të ngrohjes pasi nuk u furnizuan me lëndë djegëse- pelet.

Komuna e Prishtinës furnizon me pelet të gjitha ato shkolla që nuk i ka në rrjetin e ngrohtores së qytetit ‘Termokos’, por disave prej tyre i’u ndërpre ky shërbim një muaj para përfundimit zyrtar të sezonit të ngrohjes.

Bedri Murtezi nga kompania “Nazi Travel” që fitoi tenderin për këtë shërbim deklaroi se furnizmi është bërë të premten.

Sipas tij, problem ka pasur për 2 ditë pasi për shkak të klimës është vonuar materiali nëpër pika doganore.

“Është zgjidhur ai problem, të premten e kemi bërë furnizimin nëpër shkolla e institucione të komunës. Ka pas problem për dy ditë gjatë javës së kaluar pasi si shkak i klimës janë vonuar edhe kamionët nëpër pika doganore që bartin këtë material”, ka thënë Murtezi.

Në tetor të vitit 2021, komuna nënshkroi kontratë në vlerë 194 mijë euro për furnizim me lëndë djegëse të llojit pelet për shkollat fillore dhe të mesme si dhe qerdhet me bazë në komunitet.

Tenderi i fituar nga operatori N.T.SH “Nazi Travel” ka afat për 12 muaj.

Kurse, nga komuna e Prishtinës për KALLXO.com kanë bërë të ditur se asnjë shkollë nuk po përballet me mungesë të peletit.

Sipas tyre, për shkak të rritjes së çmimeve, operatori ka kryer furnizimin e fundit.

“Nuk është duke u përballur asnjë institucion edukativo-arsimor me mungesë të peletit. Për shkak të ngritjes së çmimit në bursën ndërkombëtare, operatori ekonomik ka furnizuar me stoqet e fundit”, kanë deklaruar nga komuna.