Zara. Foto: Facebook
Zyrtarizohet Mësimi në Gjuhën Shqipe në Zarë të Kroacisë
Viti i ri shkollor në Zarë të Kroacisë do të nisë me funksionalizimin e shkollës së parë të mesme në gjuhën shqipe për nxënësit e pakicës shqiptare në rrethinën e këtij qyteti.
Rreth 50 nxënës të komunitetit shqiptar do ta kenë mundësinë që në gjuhën e tyre t’i ndjekin mësimet në lëndët e gjuhës dhe kulturës shqiptare, sipas vendimit të Ministri së Dijes, Arsimit dhe Sportit, raporton portali lokal i lajmeve Zadarski List.
Adem Shala, kryetar Bashkësisë Ndër-Rajonale të Shqiptarëve në Zarë tha se iniciativa për këtë vendim ka ardhur para një viti e gjysmë.
Vendimi është përshëndetur edhe nga ekzekutivi kosovar.
Në një deklaratë për KALLXO.com, shefi i Zyrës për Informim në Ministrinë e Diasporës, Lorik Pustina tha se kjo ministri në kuadër të planit të veprimit dhe mandatit që ushtron, si një ndër projektet më të rëndësishme e ka mësimin shqip në diasporë.
“Në kuadër të këtyre përpjekjeve, vetë Ministri i Diasporës, z. Valon Murati ka patur takime me zyrtarë të lartë të shtetit kroat, vet Ministrin e Arsimit të Kroacisë, nga i cili është kërkuar përkrahje në hapjen e shkollave dhe paraleleve shqipe në Kroaci. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë edhe diaspora shqiptare në Kroaci, përkatësisht shoqatat të cilat veprojnë atje, lidhja e mësuesve shqiptarë dhe Ambasada e Kosovës në Zagreb”, tha Lorik Pustina.