Matthew Palmer duke folur në Forumin e Sigurisë së Beogradit, Foto: Balkan Insight/Twitter/Belgrade Security Forum

Zyrtari amerikan i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë marrëveshje

Zyrtari i lartë i ShBA-së, Matthew Palmer, i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës të premten për të bërë maksimumin e një “mundësie historike” për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre dhjetë vjeçare.

Zëvendës ndihmësi i sekretarit të shtetit të ShBA-së, Matthew Palmer, i bëri thirrje të premten Serbisë dhe Kosovës të mos humbasin “mundësinë historike” për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre dhjetëvjeçare dhe u kërkoi atyre që të gjejnë një zgjidhje nga e cila do të dalin të dyja palët “fitimtare”.

“Nëse dikush është një fitues dhe dikush humbës, atëherë askush nuk fiton”, tha ai gjatë një diskutimi në Forumin e Sigurisë së Beogradit, njoftoi Agjencia e lajmeve ‘Beta’.

Palmer theksoi gjithashtu se ShBA nuk po avokon për një rezultat specifik të dialogut Beograd-Prishtinë, duke thënë, “ne i inkurajojmë palët të gjejnë një rrugë për të ecur përpara dhe të gjejnë një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme që të dy palët do ta pranojnë”.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi ende e kundërshton. Megjithatë, parakushti kryesor i BE-së për anëtarësimin e Serbisë në BE është që ajo të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Palmer tha të premten se ShBA-ja është gati të dëgjojë dhe të ndihmojë, por se ai nuk mund të flasë për detajet dhe shkëmbimin e mundshëm të territorit, sepse sipas tij nuk është bërë asnjë plan.

Ai gjithashtu deklaroi se një “konflikt i ngrirë” nuk është një zgjidhje për mosmarrëveshjen, duke e quajtur atë një “rrezik për stabilitetin rajonal”.