Zgjedhjet Serbe në Kosovë Sipas Deputetëve Kosovarë

Katër deputetë të Kuvendit të Kosovës, të ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, diskutuan për fushatën dhe deklaratat e liderëve të partive politike të Serbisë gjatë fushatës zgjedhore të zhvilluar në territorin e Kosovës.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ganimete Musliu tha se deklaratat e Vuçiqit e Daçiqit nuk duhet të merren seriozisht.

“Është fushatë zgjedhore dhe për të qenë të sinqertë në fushata zgjedhore dimë edhe ne në Kosovë të jemi nganjëherë edhe patriotë për të përdorur një fjalor të tillë, ku sipas meje është një fjalor arrogant se sa një fjalor përfaqësues”, ka thënë Musliu.

Sa i përket zgjedhjeve në Preshevë deputetja Musliu tha se liderët serbë me ardhjen e  tyre për fushatë zgjedhore është dashur të kërkonin falje së pari për dëmet që i kanë shkaktuar gjatë luftës.

“Qytetarët e Serbisë do të duhej të kërkonin nga përfaqësuesit e tyre që në fushata zgjedhore së pari të kërkonin falje për ato që i kanë shkaktuar  gjatë viteve të luftës”, u shpreh ajo.

Ndërsa, Nenad Rashiq nga Partia Progresive Serbe, e cila është pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe në Kosovë, tha se është tensionuar fjalori sa i përket fushatës për zgjedhjet në Serbi.

“Shumë herë kam folur për zgjedhjet e 8 qershorit. Unë kam besuar në një përfaqësim autokton dhe adekuat të serbëve të Kosovës dhe se kjo do të jetë një prej interesave strategjike të partive politike shqiptare të Kosovës, të cilët kanë një nivel të përgjegjësisë më të madhe”, është shprehur Rashiq.

“Unë besova në institucionet, besova në idenë e zhvillimit institucional dhe një shoqëri multietnike deri më 8 qershor. Më 8 qershor kam pasur mundësi të shikojë se në çfarë forme po imponohet politika, në çfarë forme po përzgjidhen njerëzit që janë përfaqësues të popullit”, tha ai, duke shtuar se edhe pse ka shkuar në të gjitha adresat duke kërkuar vetëm trajtim adekuat nuk ka hasur në mirëkuptim.

“Dhe pavarësisht vjedhjeve të votave në veri, kam insistuar të kemi një minimum të demokracisë, bile që votat që vijnë nga qendra e grumbullimit të votave në Nish, kam insistuar të bëhet një analizë, se a ka dëshmi që vetëm tri palë duar i kanë bërë këto vota”, tha Rashiq, duke theksuar se ka thënë me ironi se është interesante se si 8,000 persona kanë arritur një demokraci absolute sa të votojnë të gjithë ata për 5 persona dhe një listë.

Mungesa e verifikimit dhe vulosja nga KQZ-ja e këtyre votave Rashiq tha se e ka zhgënjyer.

Arben Gashi, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se qytetarët serbë janë pjesë e presioneve, shantazheve të vazhdueshme të Serbisë dhe se fushata serbe brenda territorit të Kosovës është përzierje në punët e brendshme të Kosovës.

“Vetë fakti që vijnë dhe bëjnë fushatë në territorin e Kosovës është përzierje në punët e Kosovës”, tha Gashi.

Ilir Deda nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar se fushatat zgjedhore janë një papërgjegjësi e Qeverisë, sepse sipas tij në fushata zgjedhore nuk duhet lejuar askujt të vijë e të sillet si “në bahçe të babës”.

“S’ki nevojë me i dhonë leje kërkujt hiç me ardhë e me u sill si në bahçe të babës e me dhënë deklarata çfarë kanë dhënë Daçiq e Vuçiq. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, kanë të drejtë, por jo me eksperimente”, ka thënë Deda.

Sipas Ganimete Musliut, Kosova ka mundur të bëjë më shumë për serbët e Kosovës, por nuk është që nuk ka bërë asgjë.

Ndërsa, sipas deputetit Gashi, institucionet e Kosovës duhet të kenë partneritet me serbët lokalë. Me partneritetin e serbëve lokal që të  prezantohen  para bashkësisë ndërkombëtare  e sidomos para Brukselit dhe jo të marrë ekskluzivitetin qeveria e Serbisë për serbët lokal të Kosovës.

Rashiq ka reaguar duke thënë se Kosova asnjëherë nuk mund të jetë nëna e serbëve (të Kosovës), por mund të jetë njerkë e mirë.

 

http://kallxo.com/daciq-per-vota-ne-gracanice/