Ganimete Musliu njofton se i duhet ndërhyrje kirurgjikale jashtë vendit, thotë se mjekë në Kosovë nuk i kanë kushtet

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovë, Ganimete Musliu më 19.02.2024 ka njoftuar se që dy vjet ka probleme me zemër.

Musliu shkruan se gjatë tërë kohës u trajtua në Kosovës si dhe falënderoi repartin e Kardiologjisë, Kardiokirurgjisë në QKUK dhe Spitalin Amerikan që u kujdesën për të.

“E falënderoja po ashtu çdo institucion dhe çdo individ që ishte pranë meje dhe më ofroi mbështetje. Mbështetja e tyre më ka bërë jashtëzakonisht mirënjohëse,  por edhe krenare për çdo hap që kam bërë sepse në një moment shumë delikat të jetës sime më kanë dëshmuar se jam e bekuar me miq të vërtetë” – shkruan Musliu.

Deputetja Musliu tregon se duhet të bëjë ndërhyrje kirurgjikale jashtë vendit, kjo pasi që sipas saj mjekët kosovarë kanë kompetencë profesionale por nuk u janë krijuar kushtet që i meritojnë.

“Sistemit shëndetësor të Kosovës realisht i mungojnë shumë gjëra përveç mjekëve, kështu që shpresoj që kjo gjendje të përmirësohet dhe askush të mos detyrohet t’i nënshtrohet procedurave të shërimit jashtë vendit”, thotë Musliu.

Ajo ka njoftuar se përkohësisht tërheq nga puna e saj e përditshme.