Zbulohen Armë në Dy Fshatra të Prizrenit

Policia në Prizren në dy raste të ndara sot e dje konfiskoi një sasi armësh e municionesh në fshatrat Caparc e Skorobisht.

Sipas komunikatës së Policisë Rajonale të Prizrenit sot në mëngjes në fshatin Caparc gjatë një aksioni në kërkim të armëve ilegale në shtëpinë e dy të dyshuarve me inicialet R.S. u sekuestrua një armë automatike me tre karikatorë dhe 30 fishekë të kalibrit të panjohur.

Policia bën me dije se në këtë shtëpi u gjet edhe një pistoletë e tipit M57 dhe kalibrit 7.62 milimetra, një karikator i saj bashkë me pesë fishekë pistolete të kalibrit të panjohur.

Në të njëjtin vend u zbulua edhe një kuti plastike me gjashtë pajisje për pastrim armësh, si dhe një shufër gome me gjatësi 42 centimetra.

Njërit nga dy personat me inicialet R.S. iu caktua ndalimi policor prej 48 orësh.

Edhe dje në fshatin Skorobisht të Prizrenit u sekuestrua një pushkë automatike me 164 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra.

Në këtë fshat gjatë kërkimit për armë ilegale te personi me inicialet A.A u gjetën edhe dy karikatorë të pushkës automatike dhe dhjetë krehër fishekësh.

Sipas policisë, personi me inicialet A.A. ishte shumë bashkëpunues me forcat e rendit, ndërsa në prani të avokatit pranoi se armët janë të tij.

Personit me inicialet A.A. i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.