Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

Ymeri: Arrestimi i Haradinajt me Fletarrest të Serbisë - i Papranueshëm

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka quajtur “të papranueshëm” arrestimin e Ramush Haradinajt në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

“Ne e dimë që Serbia nuk është pajtuar me luftën tonë çlirimtare, por shtetet që na e kanë njohur shtetin (prandaj edhe vërtetësinë e luftës) nuk duhet ta ndjekin politikën e saj përndjekëse. Ky rast tregon edhe një herë që për të pasur normalizim marrëdhëniesh, është Serbia që duhet të ndryshojë, dhe jo Kosova siç po kërkohet”, ka shkruar Ymeri në profilin e tij në “Facebook”.

Visar Ymeri ka kërkuar që Ramush Haradinaj të lirohet urgjentisht. Po ashtu, ai ka kërkuar ndërmarrjen e masave kushtëzuese nga ana e intitucioneve kosovare deri në heqjen e të gjitha fletarresteve ndërkombëtare që kanë për qëllim përndjekjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“Është e qartë që përkdhelja e Serbisë po e bën atë më të keqe. Dialogu me të, tregtia me të, koncesionet ndaj saj, paratë që po ia japim, po e forcojnë armikun tonë, Serbinë, për t’ia bërë më të fuqishme goditjen ndaj nesh. Këto duhen ndalur urgjentisht”, ka shkruar kreu i Vetëvendosjes.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se arrestimi i Haradinajt është rezultat i procesit të bisedimeve i udhëhequr “me aq zell” nga presidenti, kryeministri e kryenegociatorja e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Normalizimi i marrëdhënieve i udhëhequr me aq zell nga Thaci e Mustafa dhe kryenegociatorja sjellin arrestime si kjo e Ramush Haradinaj sot. A duhet me shku në çdo shtet, me u arrestu për me i hjek “poternicat” e Serbise për çdo luftëtar që Serbia don me lujt e me përdor si kartë për me marr diçka prej neve? Kur do të mbushemi mend që ska normalizim me marrëdhënie nënshtrimi ndaj askujt”, ka shkruar kreu i kryeqytetit në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.

http://kallxo.com/arrestohet-ne-france-ramush-haradinaj/