VV i Rikthehet Ngjarjeve të 28 Nëntorit, Kritikon Prokurorinë

Lëvizja Vetëvendosje është ankuar sot Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për kallëzimet penale të cilat ata i kanë dorëzuar në Prokurorinë Themelore, pas intervenimit të policisë në selinë e kësaj partie më 28 nëntor të vitit të kaluar.

Anëtari i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, tha se përveç ftesës së Inspektoratit të Policisë së Kosovës, tash e 4 muaj nuk është bërë asnjë veprim tjetër për 80 kallëzimet e LVV-së të deponuara në Prokurorinë Themelore kundër intervenimit të policisë në zyrat e kësaj lëvizje.

Ditën të cilës i refereohet Kurteshi, forca të shumta të policisë kishin hyrë në selinë e Vetëvendosjes për ta arrestuar Albin Kurtin i cili duke qenë në arrati, mbajti një fjalim në protestën e opozitës të njëjtën ditë.

http://kallxo.com/arrestohet-albin-kurti/

Kurteshi intervenimin në selinë e Vetëvendosjes e quan sulm i cili “është bërë pa ndonjë vendim të gjykatës dhe ka qenë i dirigjuar politikisht drejtpërdrejt nga kreu i qeverisë”.

“Ky intervenim grotesk është përcjellë me një dhunë të paparë ndonjëherë për nga arsenali i përdorur. I gjithë intervenimi është përcjell me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, vjedhje e serverit të incizimeve e fyerje në baza etnike”, tha Kurteshi.

Vetë Kurteshit i ishte dashur të kërkojë ndihmë mjekësore pasi u lëndua gjatë ndërhyrjes së policisë.

Në ditën e ndërhyrjes së policisë, Kurteshi kishte vetëm dy ditë si anëtar i Vetëvendosjes.

http://kallxo.com/sami-kurteshi-perfundon-ne-emergjence-ne-diten-e-dyte-si-anetar-i-vv-se/

Ai shtoi se Prokuroria bashkë me Gjykatën Themelore, që kanë lëshuar urdhra të paligjshëm kundër deputetëve e aktivistëve të Vetëvendosjes, tani katër muaj nuk reagon fare për këto kallëzime.