Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi

VV: Policia Arrestoi Donika Kadajn

Sipas Lëvizjes “Vetëvendosje” është arrestuar deputetja e këtij subjekti Donika kadja-Bujupi

“Policia ka arrestuar deputeten Donika Kadaj në kufi me Maqedoninë. Arrestimi i saj është bërë për vepra të mëhershme dhe është skandal i papranueshëm”, thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Arrestimin e Donika Kadaj-Bujupit “Vetëvendosja” e konsideron provokim.

“Ky arrestim në kohën kur paralajmërohet sjellja e demarkacionit në Kuvend, është provokim i situatës. Sjellja e këtij pushteti përballë opozitës është bërë e patolerueshme”, vijon reagimi.

Arrestimin e një deputeteje në pikën kufitare të Hanit të Elezit e bëri të ditur edhe Policia e Kosovës, duke thënë se arrestimi është bërë me urdhërarrest të organeve të drejtësisë.

“Njësitet relevante policore kufitare bazuar në urdhëresë, kanë ndaluar deputeten e RKS-së znj. D. (K.) B., të cilën e kanë njoftuar mbi arsyen e ndalimit dhe bazuar në urdhëresë e njëjta do të shoqërohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në informacionin e policisë.

Policia njofton që deputetja ka bashkëpunuar me zyrtarët policorë që e kanë arrestuar, ndërsa sipas forcave të rendit ajo do të shoqërohet në gjykatë.

Donika Kadaj-Bujupi ishte arrestuar edhe më 18 nëntor të vitit 2015, ndërsa ndaj saj dhe tre deputetëve tjerë është duke u zhvilluar një proces gjyqësor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kater-deputeteve-te-opozites/