Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

VV përgatit kallëzim penal ndaj vendimit për rritjen e pagave

Lëvizja Vetëvendosje po përgatit një kallëzimi penal ndaj vendimit të qeverisë së Ramush Haradinaj për të ja rritur rrogat vetes.

Kështu tha deputetja Albulena Haxhiu e cila konsideron se ky vendim është i jashtëligjshëm.

“Vendimi i paligjshëm i Qeverisë për rritjen e pagave, është në kundërshtim edhe me Ligjin për Buxhetin e vitit 2018 dhe ka implikime buxhetore rreth 8 milion Euro.Ne jemi duke i bërë kallëzimet penale dhe shumë shpejt do t’i deponojmë ato”, shkroi ajo në Facebook.

Sipas vendimit të marrë në muajin dhjetor, i cili është shfuqizuar ditë më parë, pasi që Gjykata Kushtetuese nuk e cilësoi atë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, tani do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore prej 1,150 euro.

KALLXO.com sot ka siguruar një email të cilin një zyrtar në Zyrën e Kryeministrit u ka dërguar ministrive që t’i dërgojnë në Ministrinë e Financave listat e zyrtarëve të cilët përfitojnë nga rritja e pagave.

https://kallxo.com/zyres-se-kryeministrit-i-ngutet-ti-marre-pagat-me-rritje-dokument/