Avni Arifi | Foto: RTV 21

Avni Arifi: BE të mos merret me pagat tona

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi, Avni Arifi ka mbrojtur vendimin e qeverisë për rritjen e pagave.

Ai ka reaguar ashpër ndaj opinionit të Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me vendimin e qeverisë për rritjen e pagave për vetveten.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pagave është vendim legal dhe legjitim. Dhe gjithsesi kushtetues. BE do të ishte mirë që në vend të sfidimit të vendimeve të tilla nga fusha e përgjegjësive qeverisëse, të sigurojë implementimin e marrëveshjeve që vet i ka garantuar, siç është marrëveshja për energjinë”, shkroi Arifi në Facebook.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova në një deklaratë për media sot  ka theksuar se vendimi për rritjen e pagave të marrë nga Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i Ligjit të ri për pagat.

“…andaj dhe duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat”, ka thënë ajo.

Apostolova ka theksuar se ky vendim është në kundërshtim me qëllimet e përbashkëta për ta bërë administratën publike të Kosovës më të barabartë, meritore, koherente dhe llogaridhënëse.

Në anën tjetër, Arifi konsideron se Zyra e BE-së në Kosovë po sillet si një parti politike që synon pushtetin.

“Nëse sipas ekspertëve, Kosova në vit i humbë 25 milionë euro si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes për energjinë, atëherë që nga viti 2013 Kosova i ka humbë 150 milionë euro. Zyra e BE- së në Kosovë, sot, duke komentuar pagat e zyrtarëve qeveritarë, e pati gabim. Kosova ndihmohet duke implementuar marrëveshjen e garantuar për energjinë dhe jo duke dhënë vlerësime për vendime legjitime politike gati si parti politike qe synon sukses elektoral zgjedhor”, përfundoi ai.

Sipas vendimit të marrë në muajin dhjetor, i cili është shfuqizuar ditë më parë, pasi që Gjykata Kushtetuese nuk e cilësoi atë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, tani do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore prej 1,150 euro.

KALLXO.com sot ka siguruar një email të cilin një zyrtar në Zyrën e Kryeministrit u ka dërguar ministrive që t’i dërgojnë në Ministrinë e Financave listat e zyrtarëve të cilët përfitojnë nga rritja e pagave.

https://kallxo.com/zyres-se-kryeministrit-i-ngutet-ti-marre-pagat-me-rritje-dokument/