Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Kryeministri Mbron Pagat e Rritura, AKK-në e Quan Joprofesionale

Zyra ligjore e Kryeministrit ka dhënë disa konstatime juridike lidhur me opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion, e cila tha dje se vendimi i Kryeministrit për rritjen e pagave është i jashtligjshëm.

Në komunikatën për media, ZKM renditi 19 arsyetimet e zyrës ligjore, ku opinionin e AAK-së e quan “të pasaktë” dhe “joprofesional”.

“Opinioni i AKK-së karakterizohet jo vetëm me pasaktësi të shumta juridike por edhe me një qasje jo profesionale, potencialisht të ndikuar, në interpretimin e dispozitave ligjore për sa i takon konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e ZKM-së.

Thuhet se fillimisht, konstatimi i votimit të Vendimit nga ana e Zëvendësministrave është një nga pasaktësitë juridike të Opinionit të AKK-së. Në vendimmarrjen e Qeverisë votojnë vetëm anëtarët e Qeverisë, e jo edhe zëvendësministrat  dhe se kjo lë hapësirë që të konstatohet se analiza e AKK nuk ka qenë e thukët në shtjellimin e saktë të lëndës.

“Mos deklarimi i situatës së konfliktit të interesit gjatë vendimmarrjes së Qeverisë për rastin në fjalë ka qenë rezultat i bindjes së lirë juridike dhe politike se vendimi është marrë mbi bazën e kompetencave kushtetuese të Qeverisë. Nisur nga kjo, asnjëri nga anëtarët e Qeverisë nuk e ka shtruar çështjen e konfliktit të mundshëm të interesit, marrë për bazë, përveç tjerash, edhe mungesën e ndonjë praktike të tillë në të kaluarën”.

Vendimi i Kryeministrit për rritjen e pagave thuhet se është marrë edhe për arsye të mungesës së një Ligji për Pagat e anëtarëve të Qeverisë dhe duke pasur parasysh praktikën e deritanishme dhe se  qeveria, mbi bazën e nenit 93 (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka kompetencë kushtetuese, përveç tjerash, të merr vendime.

“Qeveria e Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin.” ku sic thuhet sipas këtij neni, rezulton se vendimet e Qeverisë kanë titullin ekzekutiv sepse natyra kushtetuese e pushtetit të Qeverisë është ekzekutive”.

Më pas thuhet se vendimet e Qeverisë nuk mund të rishqyrtohen në formë tjetër, pos mbikëqyrjes parlamentare nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës apo shqyrtimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese sipas mandatit të saj kushtetues të cekur si më lartë si dhe përmes procedurës gjyqësore.

“Qeveria, në pajtim me nenin 113 parag. 2 (1)  të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për sa i takon kushtetutshmërisë së akteve të saj juridike, i njeh vetëm Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e kushtetutës në kuptim të nenit 112 dhe nenit 4 (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Në këtë arsyetim thuhet se ashtu siç është prezantuar edhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës me rastin e prezantimit për shqyrtim dhe miratim para anëtarëve të tjerë të Qeverisë të “Propozim vendimit në fjalë, qëllimi i tij, ka qenë, përveç tjerash, edhe nivelizimi i pagave të Anëtarëve të Qeverisë me pagat e degëve të tjera të pushtetit shtetëror”.

Në ushtrimin e autorizimeve të tyre kushtetuese dhe siç e përcakton edhe neni 98 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, “Anëtarët e Qeverisë së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si anëtarë të Qeverisë”. Pra, AKK do të duhej të kishte parasysh dispozitën kushtetuese e cila anëtarëve të Qeverisë u garanton imunitetin funksional gjatë ushtrimit të pushtetit të saj ekzekutiv.

Arysetimi vazhzon me faktin se Kushtetuta e ka autorizuar Qeverinë që të përcaktojë me ligj dhe me rregullore mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes së saj, ngase Kosova ende nuk e ka Ligjin për Qeverinë.

“Në nenin 2 (2) të Rregullores Nr. 02/2011, Qeveria ka përcaktuar se “Çështjet që lidhen me punën e Qeverisë, që nuk janë rregulluar me këtë Rregullore, përcaktohen me vendim ose me ndonjë akt tjetër të Qeverisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjin dhe me këtë Rregullore”.

Si rrjedhojë e dispozitave të sipër cekura kushtetuese dhe ligjore, Organet që janë të autorizuara nga Kushtetuta për marrjen e vendimeve, nuk mund të jenë subjekt i konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre kushtetuese, për arsye autorizimi i tyre kushtetues është imperativ dhe në ushtrimin e tyre nuk lejohet delegimi i kësaj kompetence te ndonjë organ tjetër me qëllim të evitimit të konfliktit të interesit.

“Pra, nisur nga kjo, çështja që shtrohet me këtë rast është se cili organ do duhej të nxirrte një vendim të tillë përpos Qeverisë?”

Më pas zyra ligjire e Kryeministrit shtron edhe disa pyetje, duke cituar opinionin e AKK-së:  “Vendimi i Qeverisë i datës Nr. 04/20, datë 20.12.2017 nuk mund të cilësohet si konflikt i interesit për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi, Konflikti i Interesit është paraqitur tek zyrtarët të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”. Çështja që shtrohet me këtë konstatim është se cila mënyrë tjetër ligjore do të ishte ne dispozicion që Qeveria të marrë vendimin e lartë cekur? A është në dijeni AKK për kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve të Qeverisë, siç e përcakton neni 15 i Rregullores nr. 09/2011? Për më tepër, në mungesë të Ligjit për Pagat e Funksionarëve të Lartë, si do të duhej të përcaktoheshin pagat e deputetëve, anëtarëve të Qeverisë, Presidentit, bartësve të institucioneve të pavarura etj? Këto pyetje shtrohen në vijim të Opinionit të lartë cekur të AKK-së me të cilin rekomandohet që “Vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”. A do të evitohej situata e konfliktit të interesit sikur ligji për paga, duke përfshirë pagat e deputetëve të miratohej nga Kuvendi, duke qenë se deputetët do të mund të kishin “konflikt të interesit” pasi që do të votonin për pagën e tyre? Apo me rastin e shpalljes së ligjit të miratuar nga Kuvendi, ku shpallja do të bëhej nga Presidenti sipas mandatit të tij kushtetues, e në të cilin ligj, do të përcaktohej edhe paga e vetë presidentit? Për më tepër, a janë në konflikt të interesit, vendimet e Qeverisë të cilat janë marrë për rritje të pagave (shih për këtë vendimet e mëhershme të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe vendimet për caktimin e pagës minimale në sektorin privat)”.

“Këto pyetje shtrohen për të ardhur te përfundimi ligjor se në asnjë interpretim profesional juridik, nuk mund të pretendohet se Qeveria me rastin e një votimi të tillë mund të jetë në një situatë të konfliktit të interesit për arsye thjeshtë kushtetuese dhe ligjore”.

Pothuajse në fund thuhet se inicimi i procedurës nga mbikëqyrësi i AKK-së, kualifikimi paraprak nga mbikëqyri i shprehur në mënyrë të hapur në mediat tona, si dhe diskursi publik i imponuar për kualifikimin e rastit nga ana e Mbikëqyrësit të AKK-së tek vartësi i tij, ka krijuar një situatë potenciale të konfliktit të interesit dhe se për vendimet e natyrës së tillë, AKK nuk ka lëshuar asnjë opinion në lidhje me qindra vendime të Qeverisë, Presidencës, Kuvendit dhe institucioneve të tjera.

Krejt në fund thuhet se kur vendimet e Qeverisë sfidohen nga organet e tjera administrative, atëherë çështja që shtrohet është, a e ushtron pushtetin ekzekutiv Qeveria apo jo dhe se çfarë natyre juridike kanë aktet e Qeverisë.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 4 të saj ka përcaktuar se “Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë”, andaj, në të gjitha kuptimet, Kushtetuta e ka vënë Qeverinë në detyrim kushtetues që të ushtrojë pushtetin e saj ekzekutiv, duke pasur në konsideratë se pushteti i saj balancohet nga pushteti legjislativ përmes mbikëqyrjes parlamentare, dhe nga pushteti gjyqësor përmes procesit të rishqyrtimit gjyqësor të vendimeve të saj. Për më tepër, sikur vendimet e Qeverisë të kontestoheshin edhe nga institucionet e tjera, do të cenohej siguria juridike e vendimmarrjes Qeveritare dhe se asnjëherë, Qeveria nuk do të ndihej qartësisht e bindur se vendimet e saj janë kushtetuese dhe ligjore”.