Deputeti i VV-së, Liburn Aliu në konferencë për media më 14 gusht 2019, Foto: KALLXO.com

VV: Në Shtërpcë e Viti lumenjtë po futen në gypa

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu në një konferencë për media, ka folur për shkeljet ligjore dhe dëmet në lumenj e mjedis, që sipas tyre po bëhen nga kompanitë e licencuara për minihidrocentrale.

Aliu tha se përkundër rënies së Qeverisë, degradimi i ambientit po vazhdon.

“Qeveria ka rënë prej ditës që dha dorëheqja kryeministri. Këto ditë po duket sikur ka një heshtje dhe qetësi në institucionet. Kështu po krijohet përshtypja se aktiviteti i vetëm ka mbetur përgatitja për fushatë dhe deklarimet në media. Por ka disa mekanizma që nuk e kane mendjen te fushata dhe po funksionojnë me zell të madh, ky është degradimi i ambientit dhe më konkretisht i lumenjve”, tha  deputeti.

Aliu tha se dje ka vizituar Shtëprcën, ku po ndërtohen hidrocentrale.

“Është tejet e qartë se këto punime në hidrocentrale janë duke u bërë me shkelje të shumta ligjore dhe pa analiza të mirëfillta ujore dhe mjedisore. Në Shtërpcë dhe Viti po vazhdon të punohet që lumenjtë të futen në gypa”, shtoi deputeti.

Sipas Aliut, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mjedisin, por edhe për jetën dhe ekonominë e qytetarëve.

“Për këto shkelje, ta kenë të qartë se nuk mund ti shpëtojnë as hetimit e as drejtësisë”, përfundoi deputeti i VV-së.

KALLXO.com në fillim të këtij viti, ka raportuar për protestat e banorëve të Shtërpcës, kundër ndërtimit të hidrocentraleve në atë zonë.