Foto: Radio KIM

Banorët e Shtërpcës kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Të martën dhe të mërkurën, banorët e komunës së Shtërpcës u mblodhën në protestë kundër ndërtimin e një hidrocentrali të vogël në Obe Reke, duke përmendur dëmtimin e furnizimit me ujë gjatë ndërtimit të tij.

Gërmimet që aktualisht janë duke u zhvilluar për ndërtimin e hidrocentralit të vogël në komunën e Shtërpcës janë ndërprerë të martën nga protestuesit që u përpoqën të ndalonin ndërtimin e këtij hidrocentrali nga Matkos Group.

Sipas medias serbe N1, protestuesit paqësorë u mblodhën në vendin ku po ndërtohet hidrocentrali dhe kërkuan qasje në lejet zyrtare për ndërtimin. Megjithatë, asnjë autoritet nuk ka ofruar informacion për të hedhur dritë mbi autorizimet e Matkos për ndërtimin e hidrocentralit, thanë ata.

Sipas radio Kim, protestat filluan pas dëmtimit në një rezervuar uji në komunë që furnizon me ujë rreth 2,500 qytetarë, gjatë gërmimit për ndërtimin e hidrocentralit.

Policia u vendos në përpjekje për t’i dhënë fund protestave të martën dhe të mërkurën, për të lejuar punëtorët që të vazhdojnë me ndërtimin.

Matkos Group, një kompani me seli në Prishtinë, është përgjegjëse për ndërtimin e hidrocentralit dhe ka planifikuar pesë projekte të ndryshme për hidrocentrale të vogël në komunën e Shtërpcës sipas faqes zyrtare të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, ZRrE.

Një nga këto hidrocentrale është duke punuar që nga janari i vitit 2016, dhe tre të tjerë kanë marrë autorizimin për ndërtim.

Shtërpca, një komunë me shumicë serbe që gjendet në jug të Kosovës jo shumë larg kufirit maqedonas, shtrihet në Parkun Kombëtar të Sharrit. Megjithatë, planet e ndërtimit të hidrocentraleve në këtë zonë janë në kufi me parkun kombëtar.

Në vitin 2016, Kuvendi i Komunës së Shtërpcës, pa ndonjë afat kohor të caktuar, pezulloi të gjitha aktivitetet e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla. Nuk është e qartë nëse ky pezullim është hequr.

Sipas N1, zyrtarët nga Komuna e Shtërpcës të cilët bëjnë dorëzimin e licencave për kompanitë e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla kanë heshtur për këtë çështje, por disa të persona u ftuan të martën nga Policia për intervistë lidhur me protestat.

Aktualisht ekzistojnë gjashtë hidrocentrale të vogla që janë funksional e që kanë kapacitet të gjenerojnë deri në 10 MW energji elektrike, që gjenden në Shtërpcë, Deçan, Dragash dhe Mitrovicë.

Qeveria e Kosovës është zotuar të shfrytëzojë hidrocentralet ekzistuese dhe ato të reja me kapacitet të plotë, procesin e nxjerrjes së ujit për të gjeneruar energji elektrike duke përdorur lumenjtë e Kosovës, si pjesë e premtimit të tyre që prodhimi i energjisë elektrike të mbështetet deri në 25 për qind te energjia e ripërtëritshme deri në vitin 2025.

Plani është kritikuar nga qytetarët e Kosovës dhe organizatat mjedisore, për pasojat negative të planit hidroenergjetik të saj, sidomos në parqet nacionale, siç janë Bjeshkët e Nemuna dhe Komuna e Deçanit, ku janë ndërtuar tre hidrocentrale.

Studimet kanë identifikuar më shumë se 70 vende ku hidrocentralet mund të ndërtohen dhe instalohen. Këto plane u pranuan gjerësisht nga institucionet e Kosovës, pavarësisht nga disponueshmëria e pakët e ujit në Kosovë.

Një raport mbi gjendjen e ujit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e publikuar në vitin 2015, thotë se Kosova ka rreth 1600 metra kub ujë për banor, më i ulëti në rajon dhe jo i mjaftueshëm për të plotësuar sasinë e nevojshme të popullsisë, pavarësisht nga ndërtimi i hidrocentraleve. Raporti thotë se shpërndarja e ujit është “e pabarabartë dhe jo e përshtatshme” në raport me kërkesën.

ZRrE publikoi një listë të kompanive të cilave u është dhënë licenca për të gjeneruar, importuar, eksportuar ose furnizuar me energji elektrike duke shfrytëzuar hidrocentralet, ku është listuar edhe Matkos.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik rishikoi skemën e nxitjes për tarifat e furnizimit për hidrocentralet në vitin 2018 në Planin Kombëtar të Veprimit për Energji të Ripërtëritshme, duke ndryshuar shumën që Qeveria do të paguajë për të blerë energji të ripërtëritshme për përdorim në Kosovë nga kompanitë private si Matkos.

ZRrE, rriti shumën që do të paguaj Qeveria nga 63.3 euro në 67.3 euro për MWh, që është një milion vat energji elektrike të prodhuar vazhdimisht për një orë, për energjinë e prodhuar përmes hidrocentraleve të vogla siç është ai që do të ndërtohet në Shtërpcë, paguar për Matkos.

Themeluesja e Organizatës Joqeveritare – Era Group, me bazë në Pejë, Ellen Frank, tha se mbështetja në hidrocentralin për energjinë e rinovueshme është një burim alternativ i paqëndrueshëm për Kosovën.

“Shkatërron rrjedhën ekologjike të lumit, duke dëmtuar tërë ekosistemin, çdo gjë, që nga kafshët që mbështeten te lumi deri te komunitetet rreth tij”, tha Frank.

Protestat kundër ndërtimit të hidrocentralit dhe dëmtimi i rezervuarit të ujit do të vazhdojnë të enjten.