VV e sfidon Shpend Ahmetin me vendimin për fishekzjarret e Vitit të Ri

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një reagimi ka mbështetur protestën e cila po mbahet kundër një ton fishekzjarreve të cilat u hodhën në kampusin universitarë pranë Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

LVV ka thënë se vitin e kaluar Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nënshkruar dhe lëshuar një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike (fishekzjarre, etj.) në vende publike nga data 30 dhjetor deri më 3 janar 2018.

“Kjo urdhëresë e nënshkruar nga Shpend Ahmeti e hedh poshtë pretendimin e tij të sotëm se komuna nuk merret me dhënien e lejeve për përdorimin e mjeteve piroteknike”, thuhet në reagimin e LVV-së.

LVV ka thënë edhe se urdhërsa e dhjetorit, në kohën kur Shpend Ahmeti ishte ende pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje ‘tregon se kur ekziston vullneti politik, Kryetari i Komunës edhe di edhe mund të merret me ndalimin e këtyre mjeteve që kontribuojnë drejtpërdrejt në ndotjen e mëtejshme të ajrit në Prishtinë dhe në sigurinë fizike të qytetarëve’.

Sipas LVV,  sot Shpend Ahmetin e ka kapur amnezia, dhe ka harruar se çdo të thotë të jesh një kryetar komune i përgjegjshëm para qytetarëve.

Po ashtu LVV ka reaguar edhe ndaj mos marrjes së përgjegjësisë nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

“MMPH hoqi gjithashtu dorë nga përgjegjësia për ta mbrojtur ambientin duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), sikur të mos ishin të dyja këto ministri pjesë e së njëjtës qeveri. Qeveria, si në shumë raste të tjerë, jo vetëm nuk ndërmerr masa për t’i mbrojtur qytetarët por edhe merr vendime që e rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve”, thuhet në reagim.

LVV thotë se institucionet po tallen me qytetarët dhe se asnjë nuk po vepron për ta ndalur përdorimin e sotëm të një ton fishekzjarreve në mes të Prishtinës.

“ Theksojmë edhe një herë faktin se asnjë institucion nuk e ka bërë publik vendimin e plotë për dhënien e lejes së sotme, dhe nuk i ka treguar emrat e zyrtarëve komunalë dhe qeveritarë që e kanë nënshkruar këtë leje. Kjo mungesë transparence nga Komuna dhe nga Qeveria është e papranueshme!”, thuhet në reagim

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar në lidhje me reagimet, protestat, dhe debatet e hapura në lidhje me hedhjen e një toni fishekzjarre në koncertin e organizuar nga ProcreditBank.

Pasi që aktivistët mjedisorë kosovarë kanë bërë thirrje për bojkot të koncertit të këngëtares Elvana Gjata që pritet të mbahet të shtunën në mbrëmje në Prishtinë, duke thënë se fishekzjarrët e paralajmëruara rrezikojnë njerëzit dhe kafshët, MPB ka thënë se kjo bankë ka leje për hedhjen e tyre.

Në përgjigjet e dërguara për KALLXO.com zyrtarë të MPB-së kanë thënë që përdorimi i fishekzjarrëve lejohet me ligjin për përdorimin civil të eksplozivëve dhe se kjo ministri i ka dhënë leje PCB-së për hedhjen e një ton fishekzjarresh.

https://kallxo.com/mpb-ia-lejon-procredit-bank-es-1-ton-fishekzjarre/

https://kallxo.com/aktivistet-protestojne-kunder-ndezjes-se-fishekzjarreve-foto-video/

https://kallxo.com/reagimet-per-fishekzjarre-shpend-ahmeti-i-quan-sulme-nga-ish-koleget-e-tij/