Ilustrim

Disa komuna nuk përfillin vendimin e Ministrisë për ndalimin e shitjes së fishekzjarrëve

Prishtina, Prizreni, Vushtrria, Rahoveci janë disa nga komunat të cilat kanë ndaluar shitjen e fishekzjarrëve për festat e fundvitit.

Kjo pas një kërkese të bërë nga Minstria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ndalohet përdorimi i produkteve piroteknike në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe. Në të kundërtën do të gjobiten në shumën prej 100 euro”, thuhet në vendimin e MMPH.

Por, në disa komuna të Kosovës nuk po përfillet ky vendim.

Suhareka e Gjilani i kanë mbyllur sytë përpara kësaj kërkese.

Që të dyja këto kanë lejuar shitjen e mjeteve piroteknike.

Sami Spahiu drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit tha për KALLXO.com se ata kanë dhënë rekomandime se si duhet të përdoren mjetet e tilla por nuk  kanë marrë vendim që ato të ndalohen.

Ndërkaq, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, thotë se përderisa këto produkte futen në Kosovë përmes doganës, duhet të lejohet edhe shitja e tyre.

Në rastin e Komunës së Prishtinës është mirëpritur vendimi i ndalimit të shitjes së këtyre mjeteve sepse e njëjta në korrik të 2018 ishte kritikuar për lejimin e ndezjes së rreth 1 ton fishekzjarrëve në rastin e përvjetorit të ProCredit Bank në korrik të vitit të kaluar.

Sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, këtë vit importi i fishekzjarrëve ka qenë kryesisht nga Kina.

Deri më tani të importuara janë rreth 81 mijë kg, me vlerë prej 6.3 milionë euro, kurse taksa doganore të paguara janë rreth 2 milionë euro.