Matoshi kërkon nga komunat ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve

Ministri në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi ka kërkuar nga komunat që të ndalojnë ndezjen e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit në hapësira publike dhe zona të banuara.

Kjo kërkesë, sipas komunikatës së MMPH  vjen me qëllim të  mbrojtjes së ajrit nga ndotja dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Në anën tjetër në bazë të informacioneve që ka siguruar KALLXO.com nga Dogana e Kosovës, numri i mjeteve piroteknike të importuara ka rënë.

Që nga fillimi i këtij viti e deri më tash, sepse numri i tyre mund të rritet deri në javën e ardhshme, sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, këtë vit importi i fishekzjarrëve ka qenë kryesisht nga Kina, deri më tani të importuara janë rreth 81,000 mijë kg me vlerë prej 6.3 milionë euro, kurse taksa doganore të paguara janë rreth 2 milionë euro. Ndërsa një vit më parë Kosova ka importuar mbi 108 mijë kilogramë mjete piroteknike.