Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim të Dyshuarve për Vrasje për Motive të Hakmarrjes

Dy të dyshuarit për vrasjen e vëllezërve Valon e Ali Islamaj dhe mikut të tyre Zef Krasniqi me vendim të Gjykatës së Gjakovës do të qëndrojnë në paraburgim.

Dy ditë pasi të dyshuarit Q.Sh. dhe V.Gj. u dorëzuan në Polici KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Gjakovës dhe kërkesën e Prokurorisë në të cilat shkruhen faktet e para për ngjarjen.

Vrasja në “Çarshinë e Vjetër” të Gjakovës sipas Prokurorisë është e motivuar nga hakmarrja.

Siç shkruhet në kërkesën e Prokurorisë, dy të dyshuarit paraprakisht ishin dakorduar për të kryer aktin i cili pretendohet të jetë motivuar nga disa konflikte të mëhershme.

Kërkesa e Prokurorisë përshkruan edhe momentet se si ndodhi ngjarja, duke sqaruar se të dyshuarit kishin qëlluar me dy armë nga vetura  e tyre “Shkoda” me ngjyrë të zezë.

Të shtënat e para në drejtim të viktimave kishin ardhur nga dritarja e pasme e makinës nga ku ishte qëlluar me dy armë.

Pas të shtënave të para, sipas Prokurorisë, vetura kishte lëvizur për dy-tre metra e më pas ishte ndalur. “Shoferi dhe pasagjeri i pasëm kishin hapur derën dhe kishin qëlluar edhe pesë plumba të tjerë në drejtim të viktimave të cilët kishin mbetur të vdekur në tavoline e kafiterisë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Pasditen e 23 gushtit 2016, Gjakova ishte tronditur nga ngjarja e rëndë, e cila kishte ndodhur në një rrugë të frekuentuar të qytetit dhe ishte parë nga shumë qytetarë.

Dy dorasit ishin larguar me urgjencë nga vendi I krimit ndërsa vetëm pas gjashtë muajsh janë dorëzuar në policinë e Gjakovës.

http://kallxo.com/vetedorezohen-dy-persona-per-vrasjen-e-trefishte-ne-gjakove/

http://kallxo.com/tre-persona-te-vrare-ne-gjakove/