Vrasja e trefishtë në Prishtinë, viktimat varrosen në tri vende të ndryshme

Prishtina të hënën është tronditur nga vrasja e trefishtë në lagjen ‘Dardania’, në të cilën një person dyshohet se vrau gruan e tij, renë e pastaj edhe veten.

Viktimat janë familjarë të afërt të hendbollistit të Prishtinës dhe njëherësh anëtar i kombëtares së Kosovës, Kreshnik Krasniqi.

I njëjti ka njoftuar se nesër do të mbahet ceremonia e varrimit të tre viktimave.

Krasniqi ka njoftuar se varrimi i dorasit të dyshuar, Hasan Krasniqit, do të bëhet në varrezat e fshatit Grashticë me fillim prej orës 11:00.

Hysnije Krasniqi varroset në ora 13:00 në varrezat e Matiçanit, ndërsa, Remzije Krasniqi varroset në ora 16:20 në varrezat e Prishtinës në lagjen Arbëria.

Të hënën në orët e mesditës, Hasan Krasniqi dyshohet se vrau gruan dhe renë, pastaj edhe veten.

Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës në një deklarim për media nga vendi i ngjarjes ku mbetën të vrarë tre persona, tha se personi që ka kryer veprën ka qenë me probleme psikike.

“Personi që ka bërë këtë vepër ka qenë me probleme psikike ose me probleme mendore, sepse sipas djalit të tij ai shpesh herë ka qenë në kontrolle në psikiatri”, tha Beka para gazetarëve.

Në momentin kur ndodhi rasti tragjik, kishte qenë edhe një fëmijë i djalit të burrit që kreu vrasjen. Sipas Kryeprokurorit Beka, fëmija tashmë është nën përkujdesjen e prindit të vet.

https://kallxo.com/prokuroria-personi-qe-kreu-vrasjen-ne-dardani-ishte-me-probleme-mendore/

www.kallxo.com