Arkiv

Vizat, Parlamenti Evropian voton për hapat e ardhshëm

Parlamenti Evropian pritet të votojë sot për hapat e ardhshëm të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Dje, Parlamenti Evropian ka diskutuar lidhur me këtë çështje, ku u vunë re dallimet mes përfaqësuesve evropianë.

Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka deklaruar se Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën në lidhje me liberalizimin e vizave.

Ajo ka shtuar se Kosova ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa ka tërhequr vëmendjen se rritja e radikalizmit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshpërimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj.

Përmes një postimi në Twitter, ka reaguar edhe Komisionari evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos. Ai ka shkruar se është i lumtur që Parlamenti Evropian e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Kjo nuk është vetëm për të qenë të drejtë dhe për të njohur përpjekjet e tyre, por është e rëndësishme për stabilitetin në rajon. Perspektiva evropiane e të gjithë rajonit është në rrezik”, ka shkruar ai.‏

Procesi i liberalizimit të vizave kishte nisur në vitin 2012, ku Kosovës iu është kërkuar që të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandim pozitiv për liberalizimin.

Ky rekomandim ishte dhënë në muajin korrik të vitit ë kaluar, ndërsa në shtator Parlamenti Evropian kishte votuar për liberalizimin e vizave. Mirëpo, në muajin dhjetor, Këshilli i Ministrave nuk e kishte vendosur në agjendën e tyre këtë çështje.