Visar Ymeri pret që të miratohet në Kuvend rezoluta për rritjen e pagës minimale

Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, synon që të mërkurën të votohet në Kuvendin e Kosovës rezoluta për rritjen e pagës minimale.

Përmes një komunikate për media, PSD njoftoi për letrën e Ymerit dërguar shefave të grupeve parlamentare.

“Debatin për pagën minimale e kemi zhvilluar në Kuvend me datën 17 prill 2019. Atëbotë kemi propozuar edhe një tekst Rezolutë për t’u miratuar në Kuvend. Të mërkurën pritet të votohet kjo Rezolutë”, thuhet në njoftim.

Ymeri citohet të ketë thënë se me pagën minimale që është aktualisht nuk mund të jetohet.

“Që prej se kemi ndërmarrë nismën për rritjen e pagës minimale, kjo çështje ka marrë jehonë dhe formë. Dhe është e natyrshme. Edhe sot e kësaj dite ka punëtorë në Kosovë që punojnë më shumë se orari i rregullt (8 orë në ditë e 5 ditë në javë) dhe paguhen vetëm 130 në muaj, ose 170 nëse janë mbi moshën 35 vjeçare. Është absolutisht e pakuptimtë se si mund të kundërshtohet rritja e pagës minimale. Kështu, duke e kundërshtuar rritjen e pagës minimale, mbrohet qëndrimi që një njeri mund të jetojë me 130 euro në muaj. Me këtë pagë minimale nuk mund të jetohet. Është obligim i yni, si deputetë përfaqësues, e si institucione publike e të Republikës, që të krijojmë kushte për jetesë në Kosovë. Rritja e pagës minimale është njëra prej këtyre kushteve”, thuhet tutje në njoftim.

Ai u ka bërë thirrje grupeve parlamentare për një takim, që siç thuhet në njoftim, për të harmanizuar tekstin e rezolutës.

“Për një pagë për me jetu!  Me anë të kësaj letre u kam propozuar kryetarëve të Grupeve Parlamentare të Kuvendit të Republikës që të takohemi nesër për ta harmonizuar tekstin e Rezolutës që të jetë e gatshme për t’u votuar në seancën e së mërkurës. Është tejet e rëndësishme të bëhemi bashkë për kushtet dhe të drejtat e punëtorëve të Kosovës” thuhet në fund të komunikatës për media të PSD-së.

https://kallxo.com/interpelanca-per-pagen-minimale-pas-dy-javesh/

.